Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 25 Prill 2026

Teatri “Skampa” nuk shteron me aktivitete, koncert simfonik më 27 prill me Orkestrën Filarmonike të Elbasanit

Teatri “Skampa” nuk shteron me aktivitete dhe mbrëmje artistike për publikun elbasanas. Së fundmi, në skenën e teatritpritet të vijë një tjetër event i veçantë, që premton emocione dhe përjetime të rralla për dashamirësit e muzikës klasike.

Bëhet fjalë për një koncert simfonik nga Orkestra Filarmonike e Elbasanit, i cili do të zhvillohet më 27 prill, në orën 18:00. Nën dirigjimin e Antonio Pine, kjo mbrëmje do të sjellë në skenë interpretimet e solistëve Ardit Serica (piano), Fini Gjeli dhe Stelina Trokoliçi.

Programi artistik përfshin vepra nga kompozitorë të njohur botërorë si Wolfgang Amadeus Mozart, Antonín Dvořák, Johannes Brahms dhe Arturo Márquez, si edhe krijime nga kompozitori shqiptar Klement Marku, duke e bërë këtë koncert një udhëtim të pasur muzikor mes traditës dhe bashkëkohësisë.

Aktiviteti organizohet nën drejtimin ekzekutiv të Kliton Kapaj dhe do të jetë i hapur për publikun, me hyrje të lirë.

Një mbrëmje e veçantë që konfirmon edhe një herë se Teatri “Skampa” vijon të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore në qytet, duke sjellë vazhdimisht aktivitete të larmishme dhe cilësore për artdashësit.

Përfundon një tjetër investim për eficiencën e energjisë në Elbasan

Një tjetër investim i rëndësishëm në shërbim të komunitetit është përfunduar në qytetin e Elbasanit, ku tre banesa kolektive në lagjet “Çlirimi” dhe “Shën Koll” janë rikonstruktuar, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për banorët.

Projekti, i realizuar nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me vetë banorët, përfshiu veshjen e godinave me sistem kapot, rikonstruksionin e fasadave si dhe zëvendësimin e dritareve, duke synuar rritjen e eficiencës së energjisë dhe uljen e konsumit për familjet. Për familjet në nevojë, ndërhyrja është mbuluar 100% nga Bashkia.

Ky investim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e rreth 200 banorëve, duke sjellë më shumë komoditet, kursim energjie dhe një cilësi më të mirë jetese.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i cili inspektoi nga afër punimet së bashku me deputeten Aulona Bylykbashi, theksoi se ky është modeli që synohet të shtrihet në të gjitha godinat e vjetra të qytetit.

“Ky është modeli që duam të zbatojmë në të gjitha godinat e vjetra në Elbasan. Përveç veshjes me kapot, kemi ndërhyrë edhe në zëvendësimin e dritareve dhe përmirësimin e infrastrukturës së jashtme. Në raste të veçanta, si në këtë pallat ku ka shumë të moshuar dhe familje në nevojë, Bashkia ka mbuluar edhe kostot për dritaret, për të garantuar termoizolim të plotë”, u shpreh Llatja.

Ndërsa deputetja Aulona Bylykbashi e cilësoi këtë ndërhyrje si tejet të rëndësishme, duke theksuar se eficienca e energjisë jo vetëm garanton ruajtjen e temperaturës së brendshme, por sjell edhe kursime të ndjeshme për familjet.

Bashkia e Elbasanit bën të ditur se do të vijojë me investime të ngjashme në banesat kolektive, me qëllim përmirësimin e standardeve të jetesës dhe rritjen e eficiencës energjetike në të gjithë qytetin.