Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Prill 2026

Nis turi i takimeve me qytetarët për buxhetin afatmesëm dhe prioritetet zhvillimore në Elbasan.

Bashkia Elbasan ka nisur një tur të gjerë takimesh në çdo rajon dhe njësi administrative, me qëllim diskutimin e buxhetit afatmesëm dhe përcaktimin e prioriteteve për tre vitet e ardhshme.

Takimi i parë u zhvillua në Shirgjan, duke shënuar edhe hapin e parë të këtij procesi gjithëpërfshirës. Në këtë takim ishte i pranishëm kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Evis Kushi.

Deputetja Kushi e cilësoi këtë tur takimesh si shumë të vlefshëm për komunitetin dhe për vetë Bashkinë, pasi u shërben qytetarëve për të përcaktuar investimet dhe prioritetet që do të realizohen në vijim.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Gledian Llatja vuri theksin te pjesëmarrja e qytetarëve, duke e cilësuar atë si një tregues të besimit ndaj Bashkisë.

Ai u ndal te investimet e realizuara dhe problematikat ekzistuese, duke theksuar se puna do të vijojë për zgjidhjen e tyre, paralelisht me nxitjen e zhvillimit ekonomik në çdo zonë.

Në fjalën e tij, Llatja nënvizoi se Bashkia do të ndërmarrë hapa konkretë për transformimin e sektorit të bujqësisë.

“Për herë të parë do të miratojmë një ndërmarrje aksionere në fushën e bujqësisë, e cila do të merret me çështjet bujqësore dhe pyjore. Do të krijojmë shoqëri bashkëpunimi me fermerët dhe blegtorët, sepse duam që ata të jenë partnerë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kësaj fushe,” u shpreh ai.

Kryebashkiaku bëri të ditur gjithashtu se në bashkëpunim me qeverinë japoneze po ndërtohet një baxho e re në shërbim të gjithë zonës së Elbasanit, ndërsa paralajmëroi edhe ngritjen e një qendre të madhe në fshatin Thanë, ku do të ndërtohen magazina shtetërore të Bashkisë dhe pika grumbullimi për produktet bujqësore.

Duke theksuar rëndësinë e zinxhirit të përpunimit, Llatja u shpreh se Bashkia synon të krijojë edhe kapacitete konkrete prodhuese: “Ne duam të kemi pikën tonë të grumbullimit, si dhe të ndërtojmë fabrikën tonë të kompostos dhe të turshive. Kjo është shumë e rëndësishme për të rritur vlerën e produkteve vendase dhe për t’i dhënë mbështetje reale fermerëve tanë.”

Ai theksoi se këto iniciativa kërkojnë bashkëpunim të ngushtë me komunitetin, duke i ftuar qytetarët të bëhen pjesë aktive dhe partnerë në këtë proces zhvillimi.

Gjatë këtyre takimeve, qytetarët do të kenë mundësinë të shprehin mendimet, sugjerimet dhe nevojat e tyre konkrete për komunitetin ku jetojnë.

Ky proces synon të garantojë një vendimmarrje transparente dhe të hapur, ku çdo zë dëgjohet dhe çdo ide merr vlerësimin e duhur.

Turi i takimeve do të vijojë në ditët në vijim në të gjitha zonat e Elbasanit, duke ftuar çdo qytetar të bëhet pjesë aktive e këtij procesi të rëndësishëm për të ardhmen e qytetit.