Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 29 Prill 2026

Konsultimet për buxhetin vijojnë në Elbasan, fokus te projektet për tre vitet e ardhshme

Në Elbasan ka vijuar procesi i konsultimeve publike për buxhetin afatmesëm, me ndalesën e radhës në Rajonin Nr. 2.

Këto dëgjesa po organizohen në të gjithë qytetin dhe njësitë administrative, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në diskutimin e prioriteteve dhe projekteve për tre vitet e ardhshme, si pjesë e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës vendimmarrjeje.

E pranishme në këtë takim, deputetja Aulon Abylykbashi theksoi rëndësinë e konsultimeve si bazë e shprehjes së demokracisë. Ajo u shpreh se buxheti afatmesëm përfaqëson një planifikim strategjik trevjeçar, që përcakton drejtimin e investimeve dhe shpenzimeve të bashkisë, duke reflektuar kërkesat dhe interesat e komunitetit.

Në vijim, kryetari i Bashkisë Gledian Llatja e vendosi theksin te rëndësia e këtij procesi për ndërtimin e një vizioni të qartë zhvillimi për qytetin.

“Buxhetimi afatmesëm është një proces që na ndihmon të planifikojmë tre vitet e ardhshme, për të pasur një vizion më të qartë për zhvillimin e Elbasan dhe rajoneve të tij. Ne kemi dëgjuar qytetarët dhe po veprojmë, ndaj jemi këtu për të marrë mendime të drejta dhe të konsultuara me publikun,” u shpreh Llatja.

Duke folur për investimet konkrete, ai theksoi se , “ne po bëjmë 22 mijë metra katrorë terrene sportive dhe kënde lojërash, si edhe hapësira për të moshuarit, që do të përbëjnë parkun më të madh në Shqipërinë e mesme, një terren fantastik për qytetarët.”

Llatja u ndal edhe te projektet madhore që janë në vijim, si zhvillimi i zonës së ish-metalurgjikut përmes një masterplani të ri, ndërhyrjet në Kalaja e Elbasanit dhe projekti i automotoparkut.

“Nëse nuk kemi një ekonomi të shëndetshme, nuk kemi edhe si të gjejmë paratë për investime apo për të mbështetur shtresat në nevojë apo për të bërë pallatet me kapotë,” u shpreh ai.

Duke vijuar me projektet konkrete, kryebashkiaku theksoi se në buxhetin afatmesëm parashikohet edhe rikonstruksioni i tregut kryesor të qytetit, një investim me vlerë mbi 1.5 milion euro, me qëllim zgjidhjen e problematikave dhe rritjen e potencialit ekonomik të zonës. Gjithashtu, ai përmendi ndërhyrjen në kryqëzimin e Cërrikut për lehtësimin e trafikut, si dhe transformimin e shëtitores përgjatë lumit Shkumbin në një nga hapësirat më tërheqëse publike.

Një tjetër projekt i rëndësishëm është edhe zgjerimi dhe modernizimi i bibliotekës publike, për ta kthyer atë në një hapësirë bashkëkohore në shërbim të qytetarëve.

“Në thelb, ne duam t’i japim një frymë tjetër projekteve të mëdha trevjeçare,” u shpreh Gledian Llatja.

Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e PS, dega Elbasan, Ermira Urupi, e cila vlerësoi investimet e realizuara dhe projektet që vijojnë në qytet.

Konsultimet për buxhetin afatmesëm do të vijojnë në të gjitha njësitë administrative, me synimin për të përfshirë sa më shumë qytetarë në përcaktimin e prioriteteve zhvillimore të bashkisë.

Turizmi i natyrës në rritje, Funari përfiton fazën e dytë të projektit europian IPA Cross-Border

Këshilli Bashkiak i Elbasanit ka miratuar në rendin e ditës pikën për hapjen e shtegut turistik Dopaj–Funar dhe vendosjen e sinjalistikës orientuese, projekt i financuar nga programi i Bashkimit Europian IPA Cross-Border “Krushevo and Elbasan – Journey in Nature and Adventure”.

Gjatë mbledhjes, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, e prezantoi këtë ndërhyrje si fazën e dytë të një projekti më të gjerë për zhvillimin e turizmit të natyrës dhe sporteve të aventurës në territor.

Ai bëri të ditur se Bashkia e Elbasan dhe Bashkia e Krushevës në Maqedoninë e Veriut janë fituese të projektit IPA Cross-Border në të dy fazat e tij, duke e konsideruar këtë një bashkëpunim të suksesshëm në kuadër të fondeve të Bashkimit Europian.

Sipas Llatjas, faza e parë e projektit në zonën e Funarit ka përfshirë ngritjen e një info-pointi për shërbime turistike në liqenin e Funarit, si dhe krijimin e një piste për parashutizëm, duke rritur ndjeshëm numrin e vizitorëve.

Ai kujtoi gjithashtu se më herët janë realizuar dhe promovuar shtigje malore që lidhin zona të ndryshme turistike, përfshirë itineraret nga Bradasheshi drejt Funarit dhe nga kisha e Shën Thanasit në drejtim të Funarit nga krahu i Labinotit Mal, të cilat janë kthyer në destinacione të frekuentuara nga turistë dhe pasionantë të ecjes në natyrë.

“Shtegu Dopaj–Funar është faza e dytë e këtij projekti, ku jemi shpallur fitues së bashku me Krushevën në kuadër të IPA Cross-Border,” u shpreh Llatja.

Ai theksoi se këto shtigje malore nuk do të kenë ndërhyrje të mëdha infrastrukturore, por vetëm sinjalistikë orientuese dhe ndërhyrje të lehta për t’i bërë më të aksesueshme për vizitorët dhe për të apasionuarit pas hiking-ut.

Sipas tij, shtegu pritet të ketë interes të lartë, veçanërisht nga turistë që vijnë nga zona e Tiranës, duke e kthyer Funarin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit të natyrës.

Në kuadër të projektit është parashikuar edhe krijimi i një parku aventure, ku do të zhvillohen aktivitete të sporteve në natyrë, si pjesë e zhvillimit të mëtejshëm turistik të zonës.

Llatja theksoi se kjo ndërhyrje përfaqëson fazën e dytë të implementimit të projektit në terren dhe synon rritjen e potencialit turistik të zonës së Funarit dhe të gjithë Elbasanit.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit miraton “Eko Rural Elbasan” sh.a, model i ri për zhvillimin bujqësor.

Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mbledhjen e tij të radhës, miratoi themelimin e shoqërisë tregtare “Eko Rural Elbasan” vendim të cilin kryetari i Bashkisë e cilësoi si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e bujqësisë në territor.

Sipas Z. Llatja, krijimi i kësaj shoqërie përfaqëson një model të ri organizimi dhe menaxhimi të sektorit bujqësor, që synon përmirësimin e tregtimit të produkteve dhe daljen e tyre në një treg të përbashkët, duke rritur besimin e fermerëve dhe blegtorëve, si edhe vlerën ushqimore të produkteve vendase.

Kryebashkiaku theksoi se qëllimi kryesor është mbyllja e boshllëqeve që ekzistojnë aktualisht në zinxhirin e produkteve bujqësore në Elbasan, përmes ngritjes së pikave të grumbullimit, si edhe zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës për konservim dhe kompostim.

Ai bëri të ditur se themelimi i shoqërisë është hapi i parë, ndërsa në vijim do të kërkohet mbështetje financiare nga Këshilli Bashkiak për funksionalizimin e saj. Në thelb, kjo ndërmarrje synon të jetë në shërbim të fermerëve, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë ekonomike të prodhimit dhe në garantimin e tregtimit të produkteve të tyre.

Në fjalën e tij, Gledian Llatja nënvizoi se kjo nismë vjen si vazhdim i hapave të ndërmarra më herët, si krijimi i grupit vendor të zhvillimit bujqësor, një strukturë jo fitimprurëse që ndërvepron me fermerët.

Ndërkohë, kjo shoqëri plotëson një hallkë të rëndësishme në këtë zinxhir, ndërsa në vijim parashikohet edhe krijimi i federatave bujqësore në bashkëpunim me fermerët.

Sipas Z.Llatja, modeli i ndjekur është i ngjashëm me praktikat e shumë vendeve europiane dhe synon të rrisë sigurinë ushqimore dhe efikasitetin e sektorit bujqësor.