Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 6 Maj 2026

Nisma për mbledhjen e tapave plastike, në fokus mjedisi dhe ndihma sociale

Në Elbasan ka nisur një iniciativë e re mjedisore, e ndërmarrë nga të rinjtë e qytetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit pranë Bashkisë.
Nisma, e cila konsiston në mbledhjen e tapave plastike, synon reduktimin e ndotjes, rritjen e ndërgjegjësimit qytetar dhe përmirësimin e hapësirave publike.

Drejtoresha e Mjedisit në Bashkinë Elbasan, Lorena Haxhiymeri, u shpreh se kjo iniciativë është një hap konkret drejt një qyteti më të pastër dhe më të ndërgjegjshëm.
“Është një nismë e thjeshtë, por me ndikim të madh. Përmes angazhimit të të rinjve dhe komunitetit, ne synojmë jo vetëm të reduktojmë mbetjet plastike, por edhe të krijojmë një kulturë të re qytetare,” u shpreh Haxhiymeri.

Ajo theksoi se përtej aspektit mjedisor, kjo nismë ka edhe një dimension social, pasi tapat e mbledhura do të shërbejnë për të ndihmuar në financimin e protezave dhe karrocave për persona me aftësi të kufizuara.

Nisma është konceptuar edhe si një garë pozitive mes shkollave, bizneseve dhe komunitetit, ku më aktivët do të vlerësohen me çmime simbolike dhe promovim publik.
Instalacioni për grumbullimin e tapave është vendosur tek Bahçja e Trëndafilave, një nga hapësirat më të frekuentuara të qytetit.

Sipas Bashkisë, grumbullimi i tapave do të bëhet çdo dy javë, ndërsa transportimi i tyre çdo muaj, me rezultatet që do të publikohen rregullisht.

Bashkia Elbasan i bën thirrje të gjitha shkollave, bizneseve dhe familjeve që t’i bashkohen kësaj nisme, duke kontribuar në një qytet më të pastër dhe më solidar.

Investime që prekin çdo lagje, prezantohen prioritetet për Rajonin Nr. 1.

Bashkia Elbasan ka vijuar turin e takimeve me qytetarët në kuadër të hartimit të buxhetit afatmesëm 3-vjeçar në Rajonin Nr. 1, ku u diskutuan investimet me fokus përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe deputeti Adi Qose, i cili vlerësoi buxhetin si një nga më të mirët për Bashkinë e Elbasanit.

Sipas tij, Rajoni Nr. 1 ka një potencial të veçantë zhvillimi dhe investimet e bashkisë janë të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës, kushteve në arsim dhe rritjes së mirëqenies ekonomike, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Kryebashkiaku Gledian Llatja bëri me dije se bashkia është në fazën përgatitore për nisjen e një sërë investimesh të reja. “Shumë shpejt përmbyllim të gjitha procedurat për projektet e pallateve dhe më pas do të vijojmë me procedurat e prokurimit, për të nisur investime në sheshet e pallateve, përfshirë zonën pas kopshtit nr. 9 dhe lagjen 41,” u shpreh Llatja.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e një projekti të shumëpritur nga banorët, që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjen e lagjes “Emin Matraxhiu” me rrethrrotullimin tek “Kinezët” në rrugën “Borodin Mitarja ”. Ky investim pritet të nisë brenda këtij viti dhe tashmë është përfshirë në buxhet.

Në fushën e arsimit, Llatja u ndal te rikonstruksioni i shkollës “Naim Frashëri”, ku punimet po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti përfshin edhe një shtesë të re në godine, duke krijuar kushte për zhvillimin e mësimit pa turne, me ambiente moderne si palestër, laboratorë dhe hapësira rekreative për nxënësit dhe komunitetin.

Sipas kryebashkiakut, ky është viti i parë që Bashkia e Elbasanit po realizon paralelisht rikonstruksionin e katër shkollave, ndërkohë që pritet edhe ndërtimi i një çerdheje të re në Rajonin Nr. 2, në zonën e Balashes, për t’i shërbyer zonave informale.

Në vijim të planit 3-vjeçar, bashkia synon ndërtimin e çerdheve të reja, rikonstruksionin e kopshteve dhe përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës arsimore.

Duke u ndalur te rëndësia e këtyre takimeve, Llatja theksoi se ato shërbejnë për të marrë drejtpërdrejt mendimin e qytetarëve.