Investime që prekin çdo lagje, prezantohen prioritetet për Rajonin Nr. 1.
Bashkia Elbasan ka vijuar turin e takimeve me qytetarët në kuadër të hartimit të buxhetit afatmesëm 3-vjeçar në Rajonin Nr. 1, ku u diskutuan investimet me fokus përmirësimin e infrastrukturës, rritjen e cilësisë në arsim dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për banorët.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe deputeti Adi Qose, i cili vlerësoi buxhetin si një nga më të mirët për Bashkinë e Elbasanit.
Sipas tij, Rajoni Nr. 1 ka një potencial të veçantë zhvillimi dhe investimet e bashkisë janë të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetesës, kushteve në arsim dhe rritjes së mirëqenies ekonomike, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.
Kryebashkiaku Gledian Llatja bëri me dije se bashkia është në fazën përgatitore për nisjen e një sërë investimesh të reja. “Shumë shpejt përmbyllim të gjitha procedurat për projektet e pallateve dhe më pas do të vijojmë me procedurat e prokurimit, për të nisur investime në sheshet e pallateve, përfshirë zonën pas kopshtit nr. 9 dhe lagjen 41,” u shpreh Llatja.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e një projekti të shumëpritur nga banorët, që lidhet me përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjen e lagjes “Emin Matraxhiu” me rrethrrotullimin tek “Kinezët” në rrugën “Borodin Mitarja ”. Ky investim pritet të nisë brenda këtij viti dhe tashmë është përfshirë në buxhet.
Në fushën e arsimit, Llatja u ndal te rikonstruksioni i shkollës “Naim Frashëri”, ku punimet po vijojnë me ritme të shpejta. Projekti përfshin edhe një shtesë të re në godine, duke krijuar kushte për zhvillimin e mësimit pa turne, me ambiente moderne si palestër, laboratorë dhe hapësira rekreative për nxënësit dhe komunitetin.
Sipas kryebashkiakut, ky është viti i parë që Bashkia e Elbasanit po realizon paralelisht rikonstruksionin e katër shkollave, ndërkohë që pritet edhe ndërtimi i një çerdheje të re në Rajonin Nr. 2, në zonën e Balashes, për t’i shërbyer zonave informale.
Në vijim të planit 3-vjeçar, bashkia synon ndërtimin e çerdheve të reja, rikonstruksionin e kopshteve dhe përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës arsimore.
Duke u ndalur te rëndësia e këtyre takimeve, Llatja theksoi se ato shërbejnë për të marrë drejtpërdrejt mendimin e qytetarëve.