Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 13 Maj 2026

Infrastrukturë dhe bujqësi në Gjergjan, investimet kalojnë në fazë zbatimi.

Në vijim të konsultimeve për buxhetin afatmesëm trevjeçar të Bashkisë Elbasan, kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Gjergjan, ku u diskutuan projektet infrastrukturore dhe ndërhyrjet që synojnë përmirësimin e aksesit rrugor dhe mbështetjen e zonave bujqësore.

Në fokus të takimit ishin rrugët e brendshme të njësisë, përfundimi i akseve kryesore dhe investimet në zonat rurale, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe rritjen e zhvillimit ekonomik lokal.

Kryebashkiaku u ndal fillimisht tek rruga e Kështjellës, një kërkesë e hershme e banorëve.

Ai theksoi gjithashtu se në këtë zonë janë diskutuar edhe problematika të tjera infrastrukturore që po marrin zgjidhje graduale.

Në vijim, Llatja u ndal tek përfundimi i punimeve në disa akse dhe vijimi i ndërhyrjeve të tjera në zonë.

“Sikundër edhe rruga e Gjergjanit, edhe ajo ka qenë një kërkesë e kahershme, kemi bërë një pjesë të rrugëve dhe ka mbetur kjo tjetra për t’u përfunduar,” tha Llatja.

Kryebashkiaku foli edhe për rrugën Bujaras – Kodër Bujaras, ku punimet po vijojnë në faza.

“Problemi ishte edhe ajo e Bujaras – Kodër Bujaras, por tashmë është realitet. Ka përfunduar pjesa kryesore e punimeve civile dhe do të vijojmë me fazën e dytë, që është asfaltimi i rrugës,” deklaroi ai.

Sipas tij, synimi është që rrugët të ndërtohen me standarde bashkëkohore, duke mbështetur edhe zhvillimin bujqësor të zonës.

Në fund, Llatja vlerësoi dialogun me banorët si pjesë të rëndësishme të procesit të investimeve.

“Fakti që ju jeni sot këtu tregon se kemi besim tek njëri-tjetri, sepse kur diskutojmë së bashku, marrim edhe vendime të përbashkëta,” përfundoi Llatja.

30 vite art, emocion dhe talent, nis Maratona Rinore 2026 në Elbasan.

Mbrëmjen e së martës, në skenën e Teatrit “Skampa”, u çel zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i Maratonës Rinore, një prej ngjarjeve artistike më të rëndësishme për qytetin e Elbasanit dhe për të gjithë të rinjtë që ndër vite kanë gjetur në këtë skenë hapësirën për të shprehur talentin dhe pasionin e tyre për artin.

Sipari u hap me performancën e Gjimnazit “Mahir Domi”, duke sjellë emocione, energji dhe një atmosferë të jashtëzakonshme artistike që riktheu edhe një herë traditën e bukur të netëve të maratonës.

Qindra të rinj nga gjimnazet dhe shkollat e qytetit do të ngjiten në skenën e “Skampa” për të performuar në këngë, kërcim, aktrim, recitim, moderim dhe shumë surpriza të tjera artistike.

Për 30 vite me radhë, Maratona Rinore ka qenë shumë më tepër se një konkurs artistik. Ajo është kthyer në një simbol të rinisë, kulturës dhe artit në Elbasan, duke bashkuar breza të tërë nxënësish, artistësh dhe dashamirësish të skenës.

Pikërisht nga kjo maratonë kanë nisur rrugëtimin e tyre artistik shumë talente që sot janë emra të njohur të muzikës, teatrit, televizionit dhe artit shqiptar.

Maratona ka shërbyer si një shkollë arti dhe një trampolinë e rëndësishme për të rinjtë, duke u dhënë atyre mundësinë të besojnë tek vetja, të sfidojnë talentin dhe të prekin për herë të parë emocionin e skenës së madhe. Çdo edicion ka sjellë histori, kujtime dhe emocione që mbeten pjesë e identitetit kulturor të qytetit.