Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

30 vite art, emocion dhe talent, nis Maratona Rinore 2026 në Elbasan.

Mbrëmjen e së martës, në skenën e Teatrit “Skampa”, u çel zyrtarisht edicioni jubilar i 30-të i Maratonës Rinore, një prej ngjarjeve artistike më të rëndësishme për qytetin e Elbasanit dhe për të gjithë të rinjtë që ndër vite kanë gjetur në këtë skenë hapësirën për të shprehur talentin dhe pasionin e tyre për artin.

Sipari u hap me performancën e Gjimnazit “Mahir Domi”, duke sjellë emocione, energji dhe një atmosferë të jashtëzakonshme artistike që riktheu edhe një herë traditën e bukur të netëve të maratonës.

Qindra të rinj nga gjimnazet dhe shkollat e qytetit do të ngjiten në skenën e “Skampa” për të performuar në këngë, kërcim, aktrim, recitim, moderim dhe shumë surpriza të tjera artistike.

Për 30 vite me radhë, Maratona Rinore ka qenë shumë më tepër se një konkurs artistik. Ajo është kthyer në një simbol të rinisë, kulturës dhe artit në Elbasan, duke bashkuar breza të tërë nxënësish, artistësh dhe dashamirësish të skenës.

Pikërisht nga kjo maratonë kanë nisur rrugëtimin e tyre artistik shumë talente që sot janë emra të njohur të muzikës, teatrit, televizionit dhe artit shqiptar.

Maratona ka shërbyer si një shkollë arti dhe një trampolinë e rëndësishme për të rinjtë, duke u dhënë atyre mundësinë të besojnë tek vetja, të sfidojnë talentin dhe të prekin për herë të parë emocionin e skenës së madhe. Çdo edicion ka sjellë histori, kujtime dhe emocione që mbeten pjesë e identitetit kulturor të qytetit.