Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 23 Maj 2026

“Drita e Kujtesës përmes Legjendave në Xham”, ekspozitë në Muzeun Etnografik të Elbasanit

Në ambientet e Muzeut Etnografik të Elbasanit, u çel ekspozita artistike “Drita e Kujtesës përmes Legjendave në Xham” e artistit Kreshnik Belba, një projekt që ndërthur artin bashkëkohor me kujtesën kolektive dhe trashëgiminë shpirtërore të zonës.

Ekspozita u realizua në kuadër të projektit “Heritage is Our Brand”, një nismë e përbashkët e DMO Albania dhe EU Policy Hub, e financuar nga Bashkimi Europian, që synon promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore jo-materiale në Shqipëri përmes artit, tregimit dhe krijimtarisë bashkëkohore.

Projekti fokusohet në mbledhjen dhe riinterpretimin e legjendave, riteve dhe rrëfenjave popullore, duke i sjellë ato në një formë të re artistike që komunikon me publikun e sotëm, veçanërisht me të rinjtë.

Në këtë ekspozitë, artisti Kreshnik Belba eksploron legjendat dhe kujtesën popullore përmes materialit të xhamit dhe instalacioneve vizuale, duke krijuar një dialog mes traditës dhe modernitetit. Veprat e tij synojnë të risjellin në vëmendje rrëfenjat e vjetra të Elbasanit dhe më gjerë, duke i transformuar në forma bashkëkohore shprehjeje artistike.

Ekspozita u konceptua si një përvojë vizuale dhe emocionale, ku vizitorët ftohen të reflektojnë mbi mënyrën se si legjendat dhe kujtesa kulturore vazhdojnë të ndikojnë identitetin e komuniteteve lokale.

Gjysëmfinalja e parë e Maratonës Rinore solli energji dhe kreativitet në skenë

Mbrëmja e parë gjysëmfinale e Maratonës Rinore u zhvillua në një atmosferë plot energji, emocion dhe talent, ku të rinjtë e gjimnazeve të qytetit sollën në skenë performanca artistike dhe interpretime kreative.

Në këtë gjysëmfinale morën pjesë nxënësit e gjimnazeve “Mahir Domi”, “Vasil Kamami”, “Jonuz Çarçiu” në Tregan, “Kostandin Kristoforidhi” dhe “Anastas Çakalli” në Kuqan, të cilët prezantuan numra artistikë të përgatitur me përkushtim dhe pasion.

Maratona Rinore vazhdon të mbetet një hapësirë e rëndësishme për promovimin e talenteve të reja, duke nxitur bashkëpunimin, krijimtarinë dhe frymën artistike mes të rinjve.

Një vlerësim i veçantë shkon për mësuesit dhe prindërit, të cilët mbështesin vazhdimisht të rinjtë në rrugëtimin e tyre artistik dhe edukativ.

Festivali i Interpretuesve të Këngës mbledh talentet e reja në edicionin e XI-të

Atmosferë festive, emocione dhe shumë muzikë në skenën e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ku u zhvillua edicioni i 11-të i Festivalit të Interpretuesve të Këngës, një nga aktivitetet më të dashura artistike për fëmijët dhe të rinjtë e qytetit.

Ky festival, tashmë i kthyer në një traditë të rëndësishme kulturore, solli në skenë 60 këngëtarë të rinj, të cilët interpretuan para publikut dhe jurisë profesionale, duke përcjellë talent, energji dhe pasion për muzikën. Një element që e bëri edhe më të veçantë këtë edicion ishte pjesëmarrja për herë të parë e 22 fëmijëve në skenën e festivalit, duke i dhënë aktivitetit emocione të reja dhe një frymë të bukur artistike.

Festivali u zhvillua përgjatë dy netëve artistike dhe u organizua në dy kategori moshe, duke krijuar mundësi për pjesëmarrje dhe vlerësim të barabartë për të gjithë interpretuesit. Performancat u ndoqën me interes nga prindër, mësues dhe artdashës, të cilët duartrokitën interpretimet dhe punën e bërë nga fëmijët gjatë përgatitjeve.

Në përfundim të festivalit, juria profesionale bëri vlerësimin e konkurrentëve me sistem pikësh, bazuar në interpretimin vokal, prezencën skenike dhe performancën artistike. Nga konkurrimi u shpallën dy fitues absolutë, nga një për secilën kategori moshe.

Festivali i Interpretuesve të Këngës mbetet një hapësirë e rëndësishme për promovimin e talenteve të reja dhe zhvillimin e jetës artistike të fëmijëve, duke inkurajuar dashurinë për muzikën dhe artin që në moshë të vogël.

Nis projekti për ruajtjen dhe promovimin e Mozaikut të Bazilikës Paleokristiane

Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në Elbasan do të ruhet dhe do të hapet për vizitorët, falë një projekti të ri të ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Institucioni ka marrë angazhimin për hartimin dhe zbatimin e projektit të konservimit dhe ekspozimit të këtij monumenti unik, i konsideruar si një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë kulturore të qytetit të Elbasan.

Projekti synon jo vetëm mbrojtjen afatgjatë të autenticitetit të mozaikut, por edhe krijimin e një forme bashkëkohore prezantimi për vizitorët, duke e kthyer sitin në një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor. Gjithashtu, parashikohet vijimi i gërmimeve arkeologjike, pasi specialistët besojnë se pjesë të tjera të bazilikës mbeten ende të pazbuluara.

Bazilika Paleokristiane  ndodhet pranë qendrës së qytetit dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore në Elbasan. Mozaiku u zbulua rastësisht gjatë gërmimeve arkeologjike në gjysmën e parë të vitit 2007, në një thellësi rreth 3 metra. Studiuesit e kanë vlerësuar atë si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në vend në dekadat e fundit.

Sipas të dhënave të specialistëve të trashëgimisë kulturore, mozaiku i përket shekujve V-VI dhe shquhet për teknikën e lartë të realizimit, si edhe për motivet gjeometrike, zoomorfe dhe njerëzore që përmban. Ai ka një sipërfaqe prej rreth 25 metrash katrorë dhe konsiderohet një ndër mozaikët më të bukur paleokristianë të zbuluar në Shqipëri.

Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjithashtu pjesë të strukturës së bazilikës, fragmente afreskesh murale dhe varre që i përkasin shekullit V, duke dëshmuar rëndësinë historike dhe fetare të këtij kompleksi në periudhën paleokristiane. Monumenti u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 2010.