Nis projekti për ruajtjen dhe promovimin e Mozaikut të Bazilikës Paleokristiane
Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane në Elbasan do të ruhet dhe do të hapet për vizitorët, falë një projekti të ri të ndërmarrë nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Institucioni ka marrë angazhimin për hartimin dhe zbatimin e projektit të konservimit dhe ekspozimit të këtij monumenti unik, i konsideruar si një nga vlerat më të çmuara të trashëgimisë kulturore të qytetit të Elbasan.
Projekti synon jo vetëm mbrojtjen afatgjatë të autenticitetit të mozaikut, por edhe krijimin e një forme bashkëkohore prezantimi për vizitorët, duke e kthyer sitin në një pikë të rëndësishme të turizmit kulturor. Gjithashtu, parashikohet vijimi i gërmimeve arkeologjike, pasi specialistët besojnë se pjesë të tjera të bazilikës mbeten ende të pazbuluara.
Bazilika Paleokristiane ndodhet pranë qendrës së qytetit dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore në Elbasan. Mozaiku u zbulua rastësisht gjatë gërmimeve arkeologjike në gjysmën e parë të vitit 2007, në një thellësi rreth 3 metra. Studiuesit e kanë vlerësuar atë si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike në vend në dekadat e fundit.
Sipas të dhënave të specialistëve të trashëgimisë kulturore, mozaiku i përket shekujve V-VI dhe shquhet për teknikën e lartë të realizimit, si edhe për motivet gjeometrike, zoomorfe dhe njerëzore që përmban. Ai ka një sipërfaqe prej rreth 25 metrash katrorë dhe konsiderohet një ndër mozaikët më të bukur paleokristianë të zbuluar në Shqipëri.
Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjithashtu pjesë të strukturës së bazilikës, fragmente afreskesh murale dhe varre që i përkasin shekullit V, duke dëshmuar rëndësinë historike dhe fetare të këtij kompleksi në periudhën paleokristiane. Monumenti u shpall Monument Kulture i Kategorisë së Parë në vitin 2010.