Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 3 Qershor 2026

Drejt fundit investimi për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve në rrugën “Dervish Biçakçiu”.

Drejt përfundimit janë punimet për rehabilitimin dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza në rrugën “Dervish Biçakçiu”, një ndërhyrje e rëndësishme infrastrukturore në pjesën fundore të lagjes “Skënderbej”, zonë që lidhet me Katundin e Ri.

Ky investim, i cili ka qenë një kërkesë e hershme e banorëve të zonës, po i hap rrugë urbanizimit të plotë të kësaj lagjeje dhe përmirësimit të ndjeshëm të kushteve të jetesës për komunitetin.

Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, i shoqëruar nga deputetja Aulona Bylykbashi, panë nga afër ecurinë e investimit, i cili tashmë ndodhet në fazën përfundimtare.

Kryetari Llatja u shpreh se “janë rreth 512 metra linearë kanalizime që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe urbanizimin e kësaj lagjeje. Ky investim i shërben rreth 500 banorëve dhe është hapi i parë për të vijuar më pas me urbanizimin e plotë të kësaj zone”, deklaroi Llatja.

Nga ana tjetër, deputetja Aulona Bylykbashi theksoi se urbanizimi i zonave informale mbetet një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Elbasanit në bashkëpunim me qeverinë dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
“Synimi është që shumë shpejt kjo zonë të kthehet në një hapësirë plotësisht të urbanizuar, me infrastrukturë rrugore adekuate dhe standarde bashkëkohore për komunitetin”, u shpreh Bylykbashi.

Banorët e zonës, veçanërisht të moshuarit, u shprehën falënderues për investimin e realizuar, duke theksuar se prej dekadash nuk kishin parë një ndërhyrje të tillë në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza.
Sipas tyre, ky investim do të sjellë jo vetëm zgjidhje të problematikave të kahershme me kanalizimet, por edhe transformimin e plotë të infrastrukturës së lagjes.