Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 14 Korrik 2026

Bashkia Elbasan mat performancën e saj për vitin 2025, nis procesi i validimit të raportit vendor

Transparenca, monitorimi i rezultateve dhe përmirësimi i shërbimeve publike kanë qenë në fokus të takimit të zhvilluar në Bashkinë Elbasan për validimin e indikatorëve dhe prezantimin e draftit të Raportit Vendor të Performancës për vitin 2025.

Në këtë proces morën pjesë drejtues dhe specialistë të Bashkisë Elbasan, përfaqësues të projektit “Bashki të Forta” (Helvetas), ekspertë të qeverisjes vendore, si dhe anëtarë të Forumit Vendor të OGP (Open Government Partnership).

Gjatë takimit u analizuan rezultatet e arritura në fushat kryesore të shërbimeve publike, u diskutuan indikatorët e performancës dhe gjetjet e draft-raportit, ndërsa ekspertët dhanë rekomandime për forcimin e mëtejshëm të mekanizmave të monitorimit dhe raportimit institucional.

Bashkia Elbasan është përzgjedhur si një nga praktikat e mira në hartimin dhe validimin e Raportit Vendor të Performancës, një proces që synon të sjellë një pasqyrim sa më objektiv të punës së institucionit dhe rezultateve të arritura gjatë vitit raportues.

Raporti Vendor i Performancës shërben si një instrument për vlerësimin e punës së bashkisë, duke mbështetur vendimmarrjen e bazuar në të dhëna, rritjen e transparencës dhe forcimin e llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në përfundim të takimit,  një falenderim shkoi për projektin “Bashki të Forta”, ekspertët dhe anëtarët e Forumit Vendor OGP për bashkëpunimin dhe kontributin në këtë proces institucional.

Elbasani rikthen shijen e traditës, nesër nis Festa e Tavës së Elbasanit

Një ditë kushtuar kulinarisë, kulturës dhe trashëgimisë së qytetit, me ekspozita, muzikë, aktivitete artistike dhe degustimin e simbolit gastronomik të Elbasanit

Elbasani bëhet nesër qendra e traditës dhe shijeve autentike, me çeljen e Festës së Tavës së Elbasanit, një aktivitet që i kushtohet një prej simboleve më të njohura të qytetit dhe një prej vlerave që është trashëguar brez pas brezi.

Më 15 korrik, në Sheshin Gensher, qytetarët dhe vizitorët do të kenë mundësinë të bëhen pjesë e një dite të mbushur me kulturë, traditë dhe atmosferë festive, ku në qendër do të jetë tava karakteristike e Elbasanit, një gatim që prej vitesh përfaqëson mikpritjen dhe identitetin kulinar të qytetit.

Programi i aktivitetit do të nisë në orët e paradites, nga 10:00 deri në 13:00, me një sërë aktivitetesh që sjellin në vëmendje historinë dhe traditat e Elbasanit. Një ekspozitë fotografike do të prezantojë momente dhe pamje nga trashëgimia e qytetit, duke sjellë përmes fotografive kujtesën e brezave dhe vlerat kulturore të zonës.

Pjesë e programit do të jenë edhe aktivitetet artistike, ku do të interpretojë Ansambli i Qytetit, ndërsa atmosfera festive do të pasurohet me performancën e Brikel Guga.

Në mbrëmje, nga ora 19:00 deri në 22:00, festa do të vijojë me muzikë, kulturë dhe aktivitete të tjera, duke krijuar një hapësirë ku tradita bashkohet me energjinë e qytetit.

Një moment i veçantë i kësaj feste do të jetë degustimi i Tavës së Elbasanit, një mundësi për qytetarët dhe vizitorët që të shijojnë një nga gatimet më përfaqësuese të kuzhinës elbasanase.

Festa e Tavës së Elbasanit vjen si një ftesë për të gjithë për të festuar atë që qyteti ka më të bukur traditën, shijen, kulturën dhe mikpritjen.

Një festë ku e shkuara takohet me të tashmen dhe ku një recetë e trashëguar ndër vite vazhdon të bashkojë njerëzit rreth tryezës së Elbasanit.