Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 28 Korrik 2026

NJOFTIM

Të nderuar prindër!

Ju informojmë se kopshtet publike të Bashkisë Elbasan do të vijojnë të jenë të hapura dhe në shërbim të fëmijëve gjatë gjithë periudhës së verës, sipas grafikut të përcaktuar.

Ndërkohë, çerdhet do të jenë të mbyllura gjatë muajit gusht, për shkak të kryerjes së punimeve të domosdoshme të dezinfektimit, lyerjes dhe riparimeve, me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurt, të pastër dhe funksional për mirëpritjen e fëmijëve në fillim të sezonit të ri.

Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm!

Bashkia Elbasan pjesë e iniciativës AI4Society

Bashkia Elbasan është përzgjedhur si bashkia shqiptare që do të luajë një rol kyç në iniciativën ndërkufitare AI4Society, duke kontribuar në identifikimin e sfidave dhe nevojave lokale që mund të adresohen përmes zgjidhjeve dixhitale dhe Inteligjencës Artificiale.

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua takimi i parë për vlerësimin e nevojave, organizuar në bashkëpunim me Build Green Group, ku u prezantua iniciativa dhe u diskutua mbi prioritetet strategjike të Bashkisë, sfidat aktuale dhe mundësitë për përdorimin e teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale në përmirësimin e shërbimeve publike dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.

Në fokus të diskutimeve ishte identifikimi i nevojave konkrete të Bashkisë, të cilat në fazat e mëtejshme të projektit do të shërbejnë si bazë për zhvillimin e zgjidhjeve dhe prototipeve inovative të bazuara në AI.

Përmes një hackathon-i ndërkufitar, programit të mentorimit dhe validimit nga ekspertë, të rinjtë inovatorë dhe ekspertët do të punojnë mbi sfidat e identifikuara, me synimin për t’i kthyer ato në zgjidhje praktike që i përgjigjen nevojave të administratës dhe qytetarëve.

🤝AI4Society krijon një mundësi të re për Bashkinë Elbasan për të lidhur nevojat lokale me inovacionin, teknologjinë dhe potencialin e të rinjve, duke kontribuar në zhvillimin e shërbimeve publike më inteligjente, efikase dhe të orientuara drejt qytetarit.

Iniciativa AI4Society zbatohet nga Build Green Group, në partneritet me NALED dhe Reputeo, me mbështetjen e Open Society Foundations – Western Balkans.

Bashkëpunimi me TİKA-n do të vijojë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Koordinatorin e ri të Programit TİKA për Shqipërinë, z. Murat Ölçenoğlu, panë nga afër disa prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit.

Gjatë vizitës, ata u ndalën në Bazilikën e Bezistanit, një nga dëshmitë më të hershme të historisë së Elbasanit, në Kalanë e Elbasanit, simbol i identitetit dhe historisë shumë shekullore të qytetit, si edhe në Xhaminë Mbret, e cila së fundmi është restauruar falë bashkëpunimit mes Bashkisë Elbasan dhe TİKA-s.

E ndërtuar në vitin 1464, Xhamia Mbret është një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe fetare të Elbasanit. Restaurimi i saj ka rikthyer në vlerë një pasuri të çmuar historike, duke kontribuar edhe në pasurimin e ofertës turistike të qytetit.

Gjatë vizitës u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm mes Bashkisë Elbasan dhe TİKA-s në restaurimin dhe ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore, ndërsa u theksua se ky partneritet do të vijojë edhe në të ardhmen me projekte të reja në shërbim të mbrojtjes dhe promovimit të vlerave historike e kulturore të Elbasanit.