Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Author: Bashkia Elbasan

Në Elbasan 7 sportele fizike, pjesa tjetër e shërbimeve vetëm online!

Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Z.Gledian Llatja, bashkë me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, Elena Pici dhe prefekten Majlinda Peza vizituan zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë e Elbasanit, për të parë nga afër ecurinë e reformës për digjitalizimin e shërbimeve. Që nga data 1 maj, të gjitha shërbimet publike tashmë ofrohen online, ndaj dhe qëllimi i kësaj vizite në bashkinë e Elbasanit, ka qenë për të inspektuar nga afër ofrimin e shërbimeve në Gjendjen Civile. Kryetari i bashkisë, Z.Llatja deklaroi se “në bashkinë Elbasan do të ketë 7 sportele fizike, ndërsa pjesa tjetër e shërbimeve do të oftohet vetëm online. Në këto sportele fizike do të ofrohen vetëm ato shërbime që kërkojnë domosdoshmërisht prezencën fizike të qytetarëve, ndërkohë që çdo shërbim tjetër do të merret online nëpërmjet platformës e-Albania. Janë udhëzuar të gjithë punonjësit e Njesive  Administrative, që të orientojnë qytetarët se si ti marrin këto shërbime online nëpërmjet e-Albania”. Nga ana e saj, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme Elena Pici e vuri theksin tek orientimi dhe informimi i qytetarit duke deklaruar se “këto inspektime na shërbejnë për t’u njohur me problematikat e hasura këto ditë të para, dhe sigurojmë se problematikat që qytetari raporton, gjendja civile i raporton në kohe dhe trajtohen me prioritet nga e gjithë skuadra që merret me këtë shërbim. Është e rëndësishme që qytetarët të mos bien pre e çdo rasti abuziv nga subjekte private të cilat japin kosto të larta për një shërbim të cilin nuk do të jetë më i nevojshëm për qytetarët. Nëse do t’ju duhet që të merrni një shërbim në Zyrën Arsimore Rajonale, dhe  pjesë e këtij aplikimi është pajisja e një certifikate, është vetë zyra ajo e cila do ta marrë atë tek sistemi i Gjendjes Civile, duke i lehtësuar qytetarit printimin e certifikatës”. “Të vetmet certifikata që qytetarit do t’i nevojitet është ajo e lëvizjes jashtë vendit, ku certifikata mund të printohet në e-Albania në 6 gjuhë, pa u drejtuar tek institucioni i prefektit”, tha Pici. Që nga 1 maji, janë 8 shërbime publike, që do të jepen në sportele fizike për qytetarët. Mes tyre regjistrimi i lindjeve, martesave dhe shërbime që jepen në zyra noteriale, të cilat kërkojnë praninë fizike me domosdoshmëri. Pjesa tjetër e gjitha online, përmes aplikimeve në portalin shtetëror e-Albania.

Një  Qendër e re Shëndetësore për 10 mijë banorë të lagjeve “ Haxhias” dhe “ Vullnetari”!

Falë bashkëpunimit të ngushtë me Fondacionin “Mirënjohja” dhe Ambasadës së Kuvajtit  Bashkia Elbasan ka nisur ndërtimin e një Qendre të re Shëndetësore pas prishjes së objekteve të ndërtuara pa leje. Shumë shpejt rreth 5 mijë familje të Lagjes Nr.5 në Elbasan , do të kenë një qendër të re shëndetësore që plotëson të gjithë standardet. Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja ka parë nga afër punimet e kësaj qendre ku ka bërë të ditur se në Elbasan ka nisur një projekt për zhvendosjen e qendrave shëndetësore nga ambientet brenda pallateve, në godina të reja, në bashkëpunim dhe me komunitetin. “ Është një projekt për lëvizjen e qendrave shëndetëosre nga katet e para të pallateve, i cili nisi gjatë kohës së pamdemisë dhe që tashmë po jep rezultate. Është një shembulll i një pune të përbashkët , pushtet vendor,  pushtet qëndror dhe OJQ. Kjo qendër do t’i shërbejë dy lagjeve “Haxhias” dhe “Vullnetari” të cilat deri diku janë lagje shumë të mëdha por periferike, por që kohët e fundit falë investimeve të realizuara nga ana e Bashkisë kanë marrë jetë dhe po rivitalizohen”. Qendra shëndetësore është një nga kërkesat e hershme të banorëve, pasi pjesa më e madhe e banorëve janë të moshuar. “Tashmë jemi gati thuajse në përfundim për qendrën shëndetësore, ndërsa na mbetet në bashkëpunim edhe me pushtetin qendror që të ndërhyjmë për rehabilitimin e shesheve brenda pallateve, pasi janë lagje të mëdha,  edhe pse ka një ndryshim radikal falë investimeve që ne kemi bërë:, tha Z. Llatja. Pak muaj më parë ky shesh mes pallateve të lagjes Haxhias e kishte zaptuar një çiban – simbol i paligjshmërisë. Inspektoriati i Territorit të Bashkisë ndërhyri në kohë për t’ja rikthyer atë hapësirë komunitetit. Qendra e re Shëndetësore Nr.3 po ndërtohet më e fortë dhe e një tjetër standardi për të ofruar shërbime të kujdesit parësor shëndetësor për banorët e lagjeve “Vullnetari” dhe “Haxhias” në Lagjn nr. 5 . Qendra do të shërbejë për rreth 10 mijë banorë, ku do të shërbejnë 13 mjekë si edhe 29 infermierë, ashtu si edhe me specifikat e qendrave të tjera, do të ofrohet edhe shërbimi i Chek – Up, shërbimi pediatrik, vizita, si edhe do të vijohet edhe me shërbimin e mbasdites.  

Elbasan/ Bust në qendër të qytetit, për nder të heroit kombëtar Qemal Stafa!

Në 80-vjetorin e rënies së Heroit të Popullit Qemal Stafa, qytetit iu rikthye një simbol i sakrificës së rrallë në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare. Falë bashkëpunimit të ngushtë me Këshillin e Qarkut Elbasan dhe Organizatën e Familjeve të Dëshmorëve në lulishten qëndrore “Aqif Pasha” u vendos shtatorja e punuar me aq mjeshtëri e dashuri nga skulptori elbasanas Vladimir Caridha. Në vijim, në sallën e teatrit “ Skampa” Bashkia organizoi një aktivitet përkujtimor, për vlerësimin e nderimin e Qemal Stafës, simbolit të luftës për liri e përparim, dhe  për të gjithë dëshmorët dhe heronjtë që u flijuan për Atdhe!. Qemal Stafa ishte bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Ndaj është nder për Elbasanin që në qendër të qytetit të ngrihet busti i një figure  si Qemal Stafa, veprimtaria revolucionare e të cilit ra në sy të pushtuesve italianë e bashkëpunëtorëve të tyre, ndaj më 5 Maj 1942 u rrethua nga fashistët italianë në Tiranë dhe u vra duke luftuar heroikisht. Qemal Stafa ishte edhe një letrar i talentuar. Krijimtaria e tij u takon kryesisht viteve të rinisë. Shkroi tregime, skica e vjersha, një pjesë e të cilave u botuan me pseudonimin “Brutus” në shtypin përparimtar të kohës. Radhitet ndër letrarët e viteve ’30. Në shkrimet e tij ai u ngrit kundër realitetit shoqëror të kohës, vuri në qendër njerëzit e thjeshtë që vuanin nga padrejtësitë shoqërore, dha portrete të luftëtarëve e të njerëzve me karakter të fortë që nuk u mposhtën nga vështirësitë e që luftuan për një botë të re. Në shkrimet e tij me karakter publicistik Qemal Stafa paraqiti haptazi idetë e tij revolucionare me pjekuri e bindje të thellë. Trashëgimi i tij letrar është përmbledhur në vëllimin “Qortimet e vjeshtës”(1961)  

Bashkia rindërton banesën e familjes Sollaku, djegur 1 vit më pare!  

Shtëpitë e Besim dhe Xhaferr Sollakut në fshatin Korrë të Funarit, rreth 1 vit më parë u përfshinë nga flakët për shkak të një defekti elektrik. Falë ndërhyrjes në kohë nga ekipet e emergjencave civile dhe mbështetjen e Bashkisë Elbasan, arritën të rindërtojnë shtëpitë e tyre në një kohë të shpejtë. Nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë së Elbasanit Z. Gledian Llatja, tashmë kjo familje ka një shtëpi të re.  Pasi ka uruar familjen Sollaku për shtëpinë e re, Kryetari i Bashkisë i cili ka qenë i pranishëm në momentet që familjarët kanë hyrë në banesën e re, i ka falenderur për besimin që ata kishin tek mbështetja e Bashkisë së Elbasanit. Familja Sollaku pas djegies së banesës, i humbën shpresat se mund ta rindërtonin atë, për shkak të gjendjes jo të mirë ekonomike. Ata e kishin të pamundur ta rindërtonin shtëpinë e tyre, ndaj dhe kërkuan ndihmën e Bashkisë së Elbasanit. Menjëherë Ekipi i Emergjencave Civile me mbështetjen e Bashkisë arritën të rindërtonin banesën e tyre në një kohë record, duke e rikthyer si në gjendjen e mëparshme. Familjet Sollaku në fshatin Korrë të Funarit, tashmë kanë një banesë të re dhe më komode si dikur.  

Java e Demokracisë/ Llatja: Në Norvegji prezantuam projektet dhe eksperiencën e Bashkisë

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z Gledian Llatja ka marrë pjesë në takimin e organizuar me drejtues të partive politike të Këshillit të Bashkisë në qytetin Kristiansand Norvegji. Ky takim është organizuar në kuadër të eventit të organizuar për “Javën e Demokracisë” Democracy Week, me ftesë të Kryetarit të Bashkisë Z.Jan Oddvar Skisland. Qëllimi i këtij takimi ishte për të  ndarë praktikat më të mira në vullnetarizmin lokal dhe për të prezantuar prioritetet dhe eksperiencën e Bashkisë Elbasan. “I lumtur të prezantoja praktikat e mira të Bashkisë Elbasan, përfshirjen e gjerë të qytetarëve në proçeset vendimmarrëse lokale përmes Buxhetimit me Pjesëmarrje dhe Këshillin Vendor të Sigurisë Publike si një model suksesi”, ka pohuar Z. Llatja. Ky takim u organizua falë organizatës PVN Shqipëri pēr rrjetëzimin ndërmjet qyteteve shqiptare dhe norvegjeze. Takimi u zhvillua në Bashkinë Kristiansand me Kryetarin e Bashkisë, administratën lokale së bashku me kolegët Kryetarë të Bashkive Lushnje, Berat dhe Tropojë ku u ndanë eksperiencat e secilit në kuadër të përfshirjes së programeve të vullnetarizmit dhe ku u prezantuan mundësitë dhe sfidat e Bashkive Elbasan, Berat, Tropojë, Lushnje. Në këtë tur, kreu i Bashkisë ka zhvilluar një takim edhe me Drejtuesin e Dhomës së Tregëtisë në Kristiansand, ku u diskutua rreth mundësive për rritjen e prezencës së sipërmarrësve Norvegjezë në Shqipëri, ku një rëndësi e veçantë ishin mundësitë në sektorin e turizmit.