Author: Bashkia Elbasan
Gledian Llatja: Kemi ngritur struktura të qëndrueshme përfaqësimi për të rinjtë
Gjatë një takimi me të rinj dhe student të Elbasanit, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, është njohur më nga afër me perspektivat e tyre për qytetin e Elbasanit. Duke kujtuar edhe një herë se Bashkia ka qenë gjithnjë e hapur për të rinjtë dhe studentët, kryebashkiaku Llatja i ka parashtruar edhe një sërë arritjesh që Bashkia e Elbasanit ka realizuar gjatë këtyre viteve duke i ngritur struktura të qëndrueshme përfaqësimi si në Këshillin Rinor ashtu dhe në Këshillin Bashkiak. ” Kemi mbajtur të gjitha premtimet për Qendrën e re Rinore, bursat për ekselentët, praktikat profesionale për të sapo diplomuarit dhe këshillimin e karrierës për maturantët. Gjithashtu në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, u miratuan edhe 888 bursa për nxënësit e shkollave të arsimit bazë në territorin e Bashkisë së Elbasanit, ku 330 nga nxënësit fitues, janë aplikues për herë të parë”, tha Z. Llatja.
Për vitin shkollor 2022 – 2023 Ministria e Financave akordoi për Bashkinë Elbasan 270 bursa për nxënësit e rregjistruar në shkollat e mesme profesionale, ndërsa Ministria e Arsimit dhe Sportit, akordoi 200 bursa për nxënësit e rregjistruar në arsimin bazë, por që në pamundësi financiare nuk e ndjekin atë, si edhe për nxënësit që ndjekin arsimin e mesëm dhe që plotësojnë kriteret. Duke kërkuar bashkëpunim të ndërsjelltë me të rinjtë e qytetit, kryebashkiaku Llatja i pohoi se ” projekte të mëdha na presin në të ardhmen, ndaj mbështetja juaj është domëthenëse për një qytet më të mirë, më me shumë zhvillim ekonomik, ndërsa e vuri theksin tek projektet dhe investimet aktuale që ka bashkia, ndër të cilat edhe realizimi i veprës unike në Elbasan ai i Auto Moto Park Albania, me një shtrirje me qindra mijë m2, e cila do të ketë një ndikim me përmasa rajonale, për Bashkinë e Elbasanit dhe mbarë vendin!
Agjensia e Shërbimeve Publike,në terren për një qytet me gjelbërim, dhe rrugë urbane dhe rurale
Agjensia e Shërbimeve Publike, që në nisje të vitit, vijon punën normalisht në qytet si edhe në njësitë administrative të Bashkisë së Elbasanit, për mirëmbajtjen e rrugëve urbane dhe rurale si edhe vepra arti si në qytet ashtu edhe në fshat. . Aktualisht punonjësit e këtij shërbimi janë fokusuar në rivitalizimin urban të rrotondove në qytet, si edhe në rikonstruksionin e dy rrugëve ” Marie Buda, si edhe ” Hamdi Roseni”, si edhe punën e përditshme, atë të mirëmbajtjes së rrugëve dhe trotuareve në qytet. Në sinkron, Agjensia e Shërbimeve Publike, i ka dhënë një përparësi edhe mbjelljes së pemëve të llojit ligustër, pishë dhe panjë, ku aktualisht po mbillen 60 pemë të reja në Rajonin Nr 4, si edhe 100 pemë në ambjentet e parkut. Po zëvëndësohen më shumë se 20 pemë të llojit rrap në rrugën e varrezave të qytetit. Sakaq në bashkëpunim edhe me OJF që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Elbasan, vijon mbjellja e pemëve tek ambjentet e ish Kombinatit Metalurgjik, në kuadër të projektit ” Muri i Gjelbër”, si edhe në Krastë. Sa i përket Njësive Administrative, punonjësit e Agjensisë së Shërbimeve Publike, bashkë me mjetet që disponojnë vijojnë punimet për mbrojtjen e rrugës në fshatrat Papër – Pajun – Sollak, nga përroi i Papërrit në Njësinë Administrative Papërr, ndërtime vepra arti si ura mbi përroin e Gostimës, etj. Sakaq për të pasur një qytet sa më të pastër, janë vendosur 120 kosha në qytet si edhe tek ambjentet e Parkut, ndërsa sa i përket ndriçimit, kryhet sistematikisht zëvëndësuesi i ndriçuesve egzistues me ndriçues Led. Të gjitha punimet janë të dukshme, ndërsa e vetmja thirrje që i bëhet qytetarëve është që të mbajmë ambjentin pastër, dhe të mos dëmtojmë mbjelljet e reja si në qytet, ashtu edhe në Kodër Krastë.