Author: Bashkia Elbasan
Rivitalizohet lulishtja “Valmi”, një hapësirë që mbart historinë dhe kujtesën e Elbasanit
Lulishtja “Valmi”, një nga hapësirat e njohura në zemër të Elbasanit, do të marrë një pamje të re përmes projektit të rivitalizimit, një ndërhyrje që synon jo vetëm përmirësimin urban të zonës, por edhe rikthimin e saj në funksion të qytetarëve.
E vendosur në një zonë me rëndësi historike për qytetin, lulishtja mban emrin Valmi, një emërtim që lidhet me kujtesën e hershme historike të Elbasanit. Në burimet historike përmendet edhe emërtimi “Qyteti i Valmëve”, përpara rindërtimit të qytetit dhe kalasë në vitin 1466, kur qyteti mori emrin Elbasan. Kjo e bën emërtimin e kësaj hapësire një element të veçantë të trashëgimisë dhe identitetit vendor.
Projekti parashikon largimin e strukturave të vjetra prej betoni dhe krijimin e ishujve të gjelbëruar, duke e shndërruar lulishten në një mjedis më estetik, të hapur dhe mikpritës për të gjitha grupmoshat.
Ndërhyrja, me autoritet kontraktor Këshillin e Qarkut Elbasan, synon t’i japë një tjetër dimension kësaj hapësire, duke ndërthurur përmirësimin e mjedisit urban me respektimin e historisë dhe identitetit të qytetit.
Buxhetimi me pjesëmarrje në Rajonin nr. 1, investime të reja në shkollën “Abdyl Paralloi” dhe rrugën e Krastës
Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Rajonin nr. 1 të Elbasanit, ku banorët diskutuan mbi nevojat e zonës dhe investimet që parashikohen të përfshihen në Buxhetin 2027. Gjatë takimit, vëmendje iu kushtua investimeve të realizuara ndër vite, përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe sociale, si dhe projekteve të reja që pritet të nisin në këtë rajon.
Ndër investimet e reja janë rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Abdyl Paralloi”, ku projekti ka përfunduar fazën e përgatitjes
dhe janë hapur procedurat e prokurimit, si dhe ndërhyrja rrugore në lagjen Emin Matraxhiu, veçanërisht në zonën e Krastës, ku kanë përfunduar procedurat ligjore dhe pritet të mbyllet procesi i shpronësimit për nisjen e punimeve.
Gjatë takimit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vuri në dukje investimet e realizuara në Rajonin nr. 1, të cilat kanë ardhur edhe si rezultat i kërkesave të vetë banorëve përmes buxhetimit me pjesëmarrje. Ai u ndal veçanërisht te rikonstruksioni i palestrave dhe terreneve sportive pranë shkollës pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, si dhe te investimet në arsim, shërbimet sociale dhe infrastrukturën rrugore.
Buxhetimi me pjesëmarrje vijon të jetë një proces ku qytetarët kanë mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre, të propozojnë ndërhyrjet e nevojshme dhe të votojnë për investimet që do të përfshihen në Buxhetin 2027.
Palestra e shkollës “Luigj Gurakuqi”, ku u zhvillua takimi, ishte e mbushur me banorë, duke dëshmuar interesin e komunitetit për këtë proces dhe besimin te mundësia për të ndikuar drejtpërdrejt në përcaktimin e investimeve për zonën.
Njoftim Shpronësimi – Lagja Skënderbej
Në zbatim të projektit “Sistemimi dhe asfaltimi i bllokut të rrugëve në lagjen ‘Skënderbej’: rruga ‘Ahmet Doraci’, rruga ‘Refik Palloshi’, rruga ‘Spiro Llulla’, rruga ‘Adem Jashari’, rruga ‘Mihal Caridha’, rruga ‘Llambi Sheputi’ dhe rruga ‘Nestor Polomeri’, ndodhur në Z.K. 8523”.