Bashkia projekt për shtrimin e 8 kilometra infrastrukturë nëntokësore
Rruga ” Xhaferr Hakani” dhe rrugica e një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, prej ditësh është kthyer në kantier ndërtimi.
Tek lagjja Brigada 17 Sulmuese në Njësinë nr.2 po ndërhyhet në infrastrukturën nëntokësore dhe në rehabilitimin e plotë të rrugës “Xhaferr Hakani” .
E amortizuar prej kohësh dhe me probleme në kanalizimin e ujrave të zeza por edhe të ujrave të shiut, tashmë shumë shpejt kjo rrugë do të ketë standartin e duhur, sa i përket kanalizimeve të ujrave të zeza, si dhe rrjetit të ujësjellësit.
Bashkia e Elbasanit ka nisur një projekt për rehabilitimin e 8 kilometra kanalizime të ujrave të zeza në qytet dhe në zonat informale, aty ku ka pasur probleme. Gjatë një inspektimi të punimeve në rrugën ” Xhaferr Hakani”, kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja ka pohuar se ” investimi në këtë rrugë është një rast konkret ku amortizimi i lagjeve të vjetra si edhe shtimi i popullsisë ka shkaktuar edhe amortizim të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të shiut, si dhe rrjetin shpërndarës të ujësjellësit, të cilat kërkojnë ndërhyrje”.
Amortizimi i rrjetit të kanalizimeve të ujrave të zeza dhe të shiut, herë pas here ka shkaktuar edhe përmbytjeve në katet e para ndaj sipas z. Llatja ” ndërhyrja që po kryhet është sistemimi i saj, për të vijuar më pas me rehabilitimin dhe sistemimin e komplet zonave”. Fokusi i bashkisë Elbasan me projektin e ri të ndërmarrë është pikërisht ndërhyrja në lagjet e vjetra të Elbasanit por edhe në zonat e reja të Elbasanit ku është ndërhyrë për rehabilitimin e tyre.
Në këtë kuadër z. Llatja shton se ” po bëhemi gati për një plan të përgjithshëm për sistemimin një herë e mirë të kësaj problematike në qytet”. Investimi në infrastrukturën nëntokësore ishte një kërkesë e banorëve të lagjes, ku punimet po vazhdojnë me ritme të shpejta duke marrë parasysh edhe kohën e cila është e favorshme.
” Bashkia nuk do të ndalë punimet në infrastrukturë në cdo rrugë dhe lagje të Elbasanit me qëllim përmirësimin e jetesës së banorëve”, shton Llatja. Banorët kanë shprehur opinionet e tyre rreth këtij investimi pasi sipas tyre ndërhyrja në infrastrukturën nëntokësore ishte një problem i kahershëm për to, e cila ka gjetur zgjidhjen.