Bujtinat tradicionale dhe investimet e reja rrisin atraksionet turistike të Gjinarit
Gjinari, i njohur për bukurinë natyrore dhe freskinë e ajrit malor, po shndërrohet në një nga pikat më të preferuara për turizmin në Elbasan. Me punimet që kanë nisur për rehabilitimin total të qendrës së tij, turizmi në këtë zonë po përjeton një lulëzim të vërtetë. Gjinari, vendi i Bukanikut dhe pishave, tashmë është bërë edhe destinacioni i bujtinave tradicionale që ofrojnë mikpritje të ngrohtë dhe komoditet për turistët.
Një nga këto bujtina është Bujtina Bezhani, ku katin e dytë të banesës familja e ka përshtatur për t’u ofruar turistëve një eksperiencë të veçantë. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka vizituar këtë bujtinë, ku është pritur nga e zonja e shtëpisë. Ajo e ka falënderuar për investimet e fundit që po kryhen në Gjinar, duke theksuar rëndësinë e tyre për zhvillimin e turizmit lokal.
“Një natyrë e freskët, një oborr i pastër plot me lule dhe pemë të stinës – kjo është zona e Gjinarit, tipike, tradicionale dhe jo vetëm,” u shpreh z. Llatja gjatë vizitës së tij. Në Bujtinën Bezhani, vizitorët mund të shijojnë gjelbërimin e pafund, pemtarinë e bollshme, si dhe një lëndinë të mrekullueshme ku mund të organizohen barbeky në çdo kohë. Kjo bujtinë ofron të gjitha kushtet për një qëndrim të këndshëm, në një ambient fantastik që i bën mysafirët të ndihen si në shtëpi.
Investimet e fundit dhe përkushtimi i komunitetit për të ofruar mikpritje të veçantë kanë bërë që numri i turistëve në Gjinar të rritet ndjeshëm. Kjo zonë, me natyrën e saj të virgjër dhe bujtinat e ngrohta, është duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për pushuesit nga brenda dhe jashtë vendit.