Buxhetimi me pjesëmarrje në Gracen, infrastruktura rrugore dhe arsimi në fokus të investimeve për vitin 2027

Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Njësinë Administrative Gracen, ku banorët shprehën shqetësimet dhe kërkesat e tyre, duke përcaktuar prioritetet për investimet e vitit 2027.
Gjatë dëgjesës, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore, asfaltimi i rrugës së Dopajt, nisja e segmentit të parë të rrugës Elbasan–Funar, si dhe përmirësimi i kushteve në institucionet arsimore dhe kanalet vaditëse.
Lëvizja demografike drejt zonave pranë rrugës nacionale ka shtuar nevojën për investime në infrastrukturën rrugore dhe sistemet vaditëse, ndërsa përmirësimi i kushteve në shkolla, kopshte dhe çerdhe mbetet një tjetër prioritet për komunitetin e Gracenit.
“Një nga prioritetet tona është rruga e Dopajt, për të cilën kemi parashikuar asfaltimin këtë vit. Shumë shpejt nis edhe pjesa e parë e rrugës së re Elbasan–Funar, me synimin për të përmirësuar lidhjen me zonën turistike të Funarit. Gjithashtu, e kuptojmë nevojën për infrastrukturë rrugore dhe kanale vaditëse, duke pasur parasysh zhvillimin e zonës dhe zhvendosjen e banorëve pranë rrugës nacionale”, u shpreh Llatja.
Ai theksoi se arsimi mbetet gjithashtu një prioritet i Bashkisë Elbasan, me fokus përmirësimin e kushteve në shkolla, kopshte dhe çerdhe, përfshirë edhe shkollën e Gracenit.
Buxhetimi me pjesëmarrje është forma e drejtpërdrejtë e demokracisë lokale, ku qytetarët shprehin shqetësimet dhe problemet e tyre, ndërsa përmes votimit përcaktohen prioritetet kryesore që do të orientohen drejt investimeve konkrete.