Buxhetimi me pjesëmarrje në Labinot-Mal, investimet dhe prioritetet për vitin 2027
Buxhetimi me pjesëmarrje vijoi në Njësinë Administrative Labinot-Mal, ku banorët diskutuan nevojat e zonës dhe përcaktuan përmes votimit prioritetet kryesore për investimet që do të përfshihen në Buxhetin e vitit 2027. Në dëgjesë ishte i pranishëm nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula.
Në fokus të diskutimeve ishin përmirësimi i infrastrukturës rrugore, furnizimi me ujë të pijshëm, sistemet e ujitjes bujqësore, si dhe investimet në arsim dhe shëndetësi.
Gjatë vitit 2027, në Njësinë Administrative Labinot-Mal parashikohen një sërë investimesh në infrastrukturën rrugore, ujësjellës, ujitjen bujqësore, arsim dhe shëndetësi. Ndërhyrjet përfshijnë asfaltimin e rrugës Xibrakë–Lugaxhi, riveshjen me asfalt të aksit Guri i Zi–Qafë–Renas, vijimin e asfaltimit të rrugës Griqan–Labinot-Katund, si dhe asfaltimin e rrugës nga qendra e fshatit Labinot-Katund deri te varrezat.
Në sektorin e ujit të pijshëm dhe ujitjes bujqësore, parashikohet rikonstruksioni i ujësjellësve në fshatrat Labinot-Katund dhe Qerret, si dhe pastrimi dhe rritja e kapacitetit të rezervuarëve në Qerret, Labinot-Mal dhe Benë, me synim zgjerimin e sipërfaqeve ujitëse.
Investimet e planifikuara përfshijnë gjithashtu rikonstruksionin e shkollave në fshatrat Qafë dhe Labinot-Katund, si dhe rikonstruksionin e plotë të ambulancave në Guri i Zi dhe Labinot-Katund.
Paralelisht me planifikimin e investimeve të reja, gjatë vitit 2026 janë realizuar edhe ndërhyrje të rëndësishme në infrastrukturën e zonës.
Ndërkohë, vijojnë punimet për pastrimin dhe vënien në eficiencë të plotë të rezervuarit në fshatin Lugaxhi.
Në përfundim të dëgjesës, banorët votuan prioritetet e tyre, duke përcaktuar nevojat më të rëndësishme të komunitetit. Zëri i tyre do të shërbejë si bazë për orientimin e investimeve në Njësinë Administrative Labinot-Mal gjatë vitit 2027.