Buxhetimi me Pjesmarrje në Shushicë, nga investimet e kryera te ndërhyrjet e reja
Nga Shushica nisën dëgjesat me qytetarët për Buxhetin 2027, ku në fokus ishin investimet e realizuara, kërkesat e komunitetit dhe prioritetet për ndërhyrjet e reja në këtë njësi administrative.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te investimet e realizuara në Shushicë, duke veçuar shkollën e re 9-vjeçare, të përfunduar me kushte bashkëkohore, sistem ngrohje-ftohje dhe sistem fotovoltaik, përmes të cilit energjia prodhohet nga dielli.
“Ju gjej me shkollën e re 9-vjeçare të përfunduar me kushte bashkëkohore, me një sistem fantastik ngrohje-ftohje, me sistem fotovoltaik ku energjia prodhohet nga dielli. Nuk harxhojmë më lekë për energjinë e shkollës së Shushicës. Kemi edhe palestrën, rrugë të asfaltuara dhe një sërë investimesh të bëra”, tha Llatja.
Kryebashkiaku theksoi se, edhe pse nuk është mundur të realizohen të gjitha kërkesat e paraqitura nga banorët një vit më parë, shumë prej tyre janë adresuar, ndërsa këtë vit pritet të nisë një tjetër paketë ndërhyrjesh në Shushicë.
“Jemi duke u bërë gati për një paketë tjetër investimesh në Shushicë, për sistemimin dhe asfaltimin e një sërë rrugësh. Rruga e pallateve në Shushicë, rruga e Hajdaranit, rruga e Polisit të Vogël. Sot flasim për të sistemuar një sërë rrugësh në Njësinë Administrative Shushicë. Janë 1.5 milionë euro investime të parashikuara në buxhetin tonë trevjeçar dhe këtë vit do të fillojnë punimet”, u shpreh Llatja.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Lutfi Lala, e cilësoi dëgjesën si një shprehje të rëndësishme të demokracisë vendore, ku pjesëmarrja e qytetarëve dhe kërkesat e tyre janë thelbësore në përcaktimin e prioriteteve dhe vendimmarrjes për buxhetin.
Dëgjesat me qytetarët do të vijojnë në të gjitha rajonet dhe njësitë administrative të Bashkisë Elbasan, në funksion të përcaktimit të prioriteteve për Buxhetin 2027.