Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

CliMobility City Lab, të rinjtë sjellin ide të reja për një Elbasan më të gjelbër dhe të qëndrueshëm

Elbasani po shndërrohet në një hapësirë bashkëpunimi dhe inovacioni, ku idetë e të rinjve synojnë të kthehen në zgjidhje konkrete për zhvillimin e qytetit. Në kuadër të programit “CliMobility City Lab”, gjatë tri ditëve, 18–20 nëntor, u zhvillua një Hackathon, ku të rinj dhe profesionistë nga fusha të ndryshme punuan së bashku për të propozuar modele të reja të mobilitetit të qëndrueshëm, përmirësimit të hapësirave publike dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.

Në këtë sfidë inovacioni morën pjesë shtatë ekipe të parazgjedhura, të cilat, përmes punës në grup, mentorimit dhe shkëmbimit të ideve, zhvilluan propozime për t’iu përgjigjur nevojave dhe sfidave urbane të Elbasanit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit dhe veçanërisht të të rinjve në proceset e vendimmarrjes dhe në hartimin e projekteve të reja për qytetin.

“Për ne është shumë e rëndësishme që qytetet të zhvillohen në bashkëpunim me komunitetin, duke qenë të hapura ndaj ideve dhe modeleve të reja. Duhet të kemi një komunitet aktiv dhe një vendimmarrje të përbashkët, por mbi të gjitha projekte të mira, që i përshtaten mjedisit dhe janë miqësore me të. Kur flasim për konceptet e reja të neutralitetit klimatik, duhet të mendojmë gjithmonë edhe për ndikimin që projektet tona publike kanë në mjedis.

Të rinjtë janë shumë pranë këtyre koncepteve dhe na sjellin një vizion të ri, modele dhe ide që ne si Bashki mund t’i vlerësojmë dhe t’i zbatojmë në qytet. Ne kemi vullnetin që propozimet më të mira t’i mbështesim dhe, kur ato janë të zbatueshme, të gjejmë mundësitë për t’i financuar dhe për t’i bërë pjesë të zhvillimit të Elbasanit”, u shpreh Llatja.

Pas prezantimit dhe vlerësimit të ideve të paraqitura, u përzgjodhën tre projektet fituese,

Qemal Stafa Sponge Street,  Urban Canopy dhe Cool School Street ,  të cilat do të zhvillohen më tej me mbështetjen e ekspertëve, me synimin për t’u kthyer në ndërhyrje konkrete në qytet.

“CliMobility City Lab” zhvillohet nga ALBICT, në partneritet me Bashkinë Elbasan dhe me mbështetjen e GIZ, në kuadër të programeve për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe mobilitetin e qëndrueshëm. Nisma mbështet gjithashtu angazhimin e Elbasanit në Misionin e Bashkimit Europian për 100 qytete neutrale ndaj klimës dhe inteligjente deri në vitin 2030.