Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

“Dhaskal Todri” nis vitin e ri shkollor në një godinë tërësisht të rikonstruktuar.

Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur në kushte optimale për 607 nxënësit e gjimnazit “Dhaskal Todri” në Elbasan. Pas një rikonstruksioni të plotë të godinës, nxënësit dhe stafi pedagogjik kanë nisur procesin mësimor në ambiente tërësisht të rinovuara dhe të përshtatura me nevojat e një shkolle bashkëkohore.

Investimi është realizuar me financim të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Elbasan, duke sjellë një transformim të plotë të ambienteve të shkollës.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në “Dhaskal Todri” kanë qenë të pranishëm kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, deputetja e Elbasanit, Aulona Bylykbashi, si dhe drejtoresha e ZVAP Elbasan, Vesa Llanaj Lico.

Drejtoresha e ZVAP Elbasan, Vesa Llanaj Lico, uroi nxënësit për një vit sa më të suksesshëm arsimor, duke theksuar rëndësinë e disiplinës pozitive, vullnetit për dije dhe përkushtimit ndaj së ardhmes.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, uroi nxënësit për nisjen e vitit të ri shkollor, duke vënë theksin tek kushtet e reja që ofron tashmë “Dhaskal Todri”. Godina është pajisur me sistem ngrohjeje dhe ftohjeje, palestër me sistem kondicionimi, laboratorë të rinj dhe ambiente të tjera tërësisht të rikonstruktuara, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe aktivitetet e nxënësve.

Deputetja e Elbasanit, Aulona Bylykbashi, e cilësoi “Dhaskal Todri” një shkollë me standarde europiane, duke vlerësuar historinë dhe kontributin e saj në edukimin e brezave të nxënësve të Elbasanit. Ajo theksoi se ambientet e reja i përshtaten stafit arsimor dhe nivelit të brezave të shumtë që kanë marrë dije në këtë shkollë.

Edhe drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, Arbjan Mazniku, uroi nxënësit për një vit të mbarë dhe të suksesshëm shkollor, duke nënvizuar se mes tyre janë të rinjtë që në të ardhmen do të drejtojnë vendin. Mazniku vlerësoi historinë e “Dhaskal Todrit” dhe faktin se kjo shkollë ndër vite ka nxjerrë talente të jashtëzakonshme mes djemve dhe vajzave të Elbasanit.

Me ambiente të reja, laboratorë të rinj, kushte të përmirësuara dhe hapësira të përshtatura për mësim dhe aktivitetet e nxënësve, “Dhaskal Todri” e nis vitin e ri shkollor duke vijuar traditën e saj si një prej emrave të rëndësishëm të arsimit në Elbasan.