Dita Botërore e Mjedisit, Bashkia dhe INCA marrëveshje për një mjedis më të pastër
Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me organizatën INCA, e cila synon reduktimin e ndotjes nga plastika, promovimin e ekonomisë qarkulluese dhe forcimin e edukimit mjedisor në komunitet.
Marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në angazhimin e Bashkisë Elbasan për mbrojtjen e mjedisit, përmes zbatimit të nismave konkrete që synojnë ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përfshirjen e tyre në praktika të qëndrueshme mjedisore.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, u zhvillua ceremonia përmbyllëse e nismës së riciklimit të tapave plastike, e realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Mjedisit, organizatën INCA, Zyrën Vendore të Arsimit dhe shkollat e qytetit. Për javë me radhë, qindra nxënës, mësues dhe prindër u angazhuan në mbledhjen e tapave plastike, duke e kthyer këtë nismë në një model të edukimit mjedisor dhe pjesëmarrjes qytetare.
Gjatë aktivitetit, nxënësit përcollën mesazhe sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit, prezantuan skeçe artistike dhe ndanë angazhimet e tyre për reduktimin e përdorimit të plastikës në jetën e përditshme.
Në përfundim, u vlerësuan shkollat pjesëmarrëse për kontributin e tyre, ndërsa shkollat “Jorgji Filo” dhe “Luigj Gurakuqi” u shpallën fituese të nismës, duke dëshmuar se bashkëpunimi dhe ndërgjegjësimi janë çelësi i suksesit në mbrojtjen e mjedisit.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Elbasan vlerësoi angazhimin e nxënësve, mësuesve dhe familjeve, duke theksuar se edukimi mjedisor mbetet investimi më i rëndësishëm për të ardhmen dhe se çdo veprim i vogël në mbrojtje të natyrës sjell ndryshime të mëdha për komunitetin.
Bashkia mbetet e angazhuar në zbatimin e politikave të qëndrueshme mjedisore dhe përfshirjen e të rinjve në nisma që kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës dhe reduktimin e ndotjes nga plastika.