Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani feston rikthimin triumfues në Superiore pas një dekade!

Pas një fitoreje vendimtare 1-0 kundër Apolonisë në “Elbasan Arena” sot, AF Elbasani siguroi ngjitjen e shumëpritur në elitën e futbollit shqiptar, vend që nuk e kishte zënë prej nëntë vjetësh.

Ky sukses historik është fryt i një vendimi guximtar të Bashkisë së Elbasanit, e cila tre vite më parë vendosi të krijojë skuadrën AF Elbasan.

Në këto vite, skuadra ka shënuar një rritje të vazhdueshme, duke kaluar nga një kategori në tjetrën dhe tërhequr vëmendjen me arritjet e saj të jashtëzakonshme.

Sot, verdheblutë synojnë të ngjiten në Superiore si kampionë, duke u pozicionuar dy pikë mbi ndjekësin e tyre të afërt, Bylisin, me katër javë para përfundimit të sezonit.

Nën moton “Për Sportin, Për Qytetin, Për Elbasanin,” Bashkia e Elbasanit ka rikthyer futbollin në nivelet që ky qytet meriton dhe i ka dhënë tifozëve arsye për të festuar.

 Kjo është një fitore jo vetëm për ekipin, por për të gjithë komunitetin, që tani shikon përpara me krenari dhe entuziazëm ndaj sfidave që sjell e ardhmja.