Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Elbasani mirëpret Ballkaniadën e Ping Pongut në muajin qershor

Shumë shpejt, Elbasani do të jetë mikpritës i një tjetër eventi të rëndësishëm ndërkombëtar, Ballkaniadës së Ping Pongut, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij në rritje në hartën sportive të rajonit.

Me angazhimin e institucioneve vendore dhe bashkëpunimin e ngushtë me federatat përkatëse, qyteti po dëshmon se ka kapacitetin dhe infrastrukturën e nevojshme për të organizuar aktivitete sportive të niveleve të larta, duke e promovuar denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Në kuadër të përgatitjeve, kryebashkiaku Gledian Llatja zhvilloi një takim me drejtorin e Klubit Shumësportësh Elbasan, Artin Kovaçi, trajnerët e klubit, si edhe përfaqësues të Federatës së Ping Pongut të Ballkanit dhe Federatës Shqiptare të Ping Pongut.

Gjatë këtij takimi u diskutua në detaje mbi planin e masave dhe koordinimin institucional për organizimin sa më të suksesshëm të këtij eventi, i cili do të zhvillohet në Elbasan gjatë muajit qershor.

Ballkaniada pritet të sjellë në qytet sportistë dhe delegacione nga vendet e rajonit, duke e kthyer Elbasanin në një pikë takimi të rëndësishme për sportin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.