Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Funar

Funari, perla e pazbuluar turistike mes katër liqeneve

Rreth 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit ndodhet një nga perlat turistike thuajse të pashkelura të qytetit të Elbasanit. Janë të paktë ata që e njohin Funarin, i cili ka nën administrimin e tij 17 fshatra dhe rrethohet nga 7 male dhe përshkohet nga tre përrenj, Zaranika, Kusha dhe Zalli i Korrës. Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë të ndarë dy brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën. Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit. Petriti është një banor i qytetit të Elbasanit, një peshkatar i njohur nga banorët e Funarit.

“Edhe pse dikur kapja shumë krap, krap pasqyrë si edhe ballgjanë, tashmë këto lloje peshku janë me pakicë, për shkak të moskujdesit vitet e fundit. Por sot janë vetë banorët ata që i kushtojne vëmendje duke bërë të mundur rikthimin e këtyre lloj peshku në liqenet e tyre. Është peshk i shijshëm, ka pak nevojë për kujdes, dhe vetëm me peshkun e këtyre liqeneve Funari do të jetë shumë i vizituar”, shprehet peshkatari i vjetër, i cili shprehet me nostalgji për Funarin e dikurshëm.

Kur ishte komunë, shumë pak turistë vendës por edhe të huaj e vizitonin Funarin, ndërsa vitet e fundit me marrjen nën administrim të Bashkisë së Elbasanit, kjo zonë është bërë tepër e vizitueshme. Ishte një iniciativë për t’i dhënë zonës atë që me të vërtetë meritonte, emrin “Funari Turistik”, duke shpallur edhe datën 26 mars ditë feste për promovimin e turizmit në këtë zonë, si edhe kthimin e kësaj feste në traditë. RRUGA Për të shkuar në Funar duhet të përshkosh një rrugë të gjatë, me shumë fshatra. Së pari të përshëndet përroi i Zaranikës, dhe në rrëzë të saj qëndron si relikte e vjetër, por funksional edhe sot, Mulliri i Ndreut.

Ka mbi 100 vjet që është ngritur dhe ka qenë gjithmonë në shërbim të malësorëve të zonës. Këtu vinin dikur fshatarët nga Braneshi e Bixëllenja, Rrila e Bashabuni me kafshët e ngarkuara me nga dy thasë të endur me lesh dhie, mbushur me misër e prisnin radhën me orë të tëra për të bluar. E vështirë është disi ngjitja në brinjën e Braneshit. Është një e përpjetë thikë, derisa të dalësh në fushën e Funarit, rreth 6 km më lart.

HISTORIA

Nga kjo zonë kanë dalë edhe shumë burra të mençur që kanë lindur e jetuar këtyre anëve. Emrat e tyre përmenden edhe sot. Selim Meta nga Balza e dha jetën në përpjekje me forca diversante, pak kohë pasi ishte çliruar vendi nga pushtuesit, dhe u përjetësua në këngën e solistëve elbasanas. Isuf Deliu nga Mollagjeshi ishte patrioti me nam, që u shërbeu bashkëfshatarëve, jo vetëm si drejtues gjatë luftës, por edhe hoxhë i fshatit.

Ishte i zgjuar dhe gëzonte respektin e te të gjitha shtresave e për këtë arriti të bëhet edhe shef i seksionit të bujqësisë të rrethit të Elbasanit në kohën më të vështirë. Në Mollagjesh u hap shkolla që në vitin 1932, si një ndër shkollat e para pas asaj Normale dhe pas dy të tjerave, njëra hapur në Shpat të Elbasanit e tjetra në Vrap të Peqinit. Dy burrat e Mollagjeshit, Isuf Deliu dhe Sali Çela, morën udhën në këmbë drejt Ministrisë së Arsimit të kohës dhe siguruan pas një argumentimi këmbëngulës një dokument për hapjen e shkollës.

Dhe ndonjë skeptiku, që nuk pranonte të sillte fëmijën në shkollë, Sali Çela iu përgjigj me shembullin e tij konkret. Ai i preu flokët njësoj si një djali vajzës së tij të vetme dhe e dërgoi atë i pari në dhomën me lagështirë që shërbeu si shkollë fillimisht. Ismail Kaca nga Bixëllenja ishte përfaqë- sues i Ballit Kombëtar e Rrapush Hyka në Korrë, përfaqë- sues i Legalitetit, por gjithçka e vunë në shërbim të banorëve të Funarit.