Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Inagurohet Qendra e Rekrutimit të Forcave të Armatosura

 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Gledian Llatja, prefektja e qarkut, kanë përuruar  Zyrën e Rekrutimit në Elbasan, e para në këtë qark.

Në fjalën e tij, ministri Peleshi falënderoi Ambasadën e SHBA dhe Zyrën e Bashkëpunimit për mbështetjen që ka dhënë në hapjen e këtyre zyrave.

Peleshi u shpreh se, deri më tani këto zyra kanë qenë në vende aspak atraktive, por tashmë ato po hapen në qendrat kryesore të qarqeve të vendit, si një mënyrë për t’i dhënë dinjitetin e merituar punës së FA.

Nga ana e tij, kryetari i bashkisë Z. Gledian Llatja e vuri theksin tek vendodhja e kësaj qendre, që sipas tij “ndodhet në një lokacion shumë të mirë, pasi ndodhet pranë disa shkollave thuajse në qendër të qytetit.  

 Të rinjtë do të kenë një tjetër ambjent, pasi qendra është konceptuar si e tillë, mikpritëse për të rinjtë.

 Më gëzon fakti se deri dje të rinjtë donin të bëheshin policë, dhe se ndjenja patriotike nuk vjen më nga ndeshjet e futbollit, por edhe tek interesi i të rinjve që marrin pjesë edhe tek Forcat e Armatosura, të cilët e shohin edhe si karrierë.

 Kjo na bën optimistë për të ardhmen, por edhe për të rinjtë tanë të cilët kanë një ardhme të sigurtë me paketën që ofron FA.

 Nuk është vetëm patriotizmi pjesë e të rinjve që duan të marrin pjesë në FA por edhe karriera e sigurtë”, tha kryebashkiaku Gledian Llatja.

Ministri i Mbrojtjes evidentoi faktin se tanimë ushtarakët marrin edhe një pagë dinjitoze, e cila do të rritet edhe më shumë në buxhetin e vitit 2024.

“Sot një ushatrak që rekrutohet, paguhet rreth 650 euro. Është pagë dinjitoze që do të rritet sërish. Kjo parashikohet në buxhetin e vitit 2024, që po diskutohet në Parlament”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes, i cili sqaroi edhe paketën sociale që parashikohet të zbatohet në të ardhmen si një mbështetje për ushtarakët.

“Do të ndërtojmë banesa për ushtarakët, që një i ri nga Elbasani, apo nga qytete të tjera që do të vijë me detyrë në Tiranë, të ketë shtëpi. Duam të ndërtojmë rreth 200 apartamente dhe do vazhdojmë më pas deri në plotësimin e nevojave të të gjithë ushtarakëve. Po kompletohet një paketë tjetër sociale, sipas të cilës çdo ushtarak që shërben në mënyrë patriotike të ketë edhe kushtet e nevojshme, përmend këtu hapjen e një laboratori mjekësor dhe një qendër dentare”, u shpreh Peleshi.

Janë 428 vende pune, të cilat janë mundësi për të rinjtë, dhe zyrat e rekrutimit do të jenë qendra edhe për rezervistët, të cilët do të merren kryesisht me emergjencat civile, gjë që do të nisë zbatimin sapo të miratohet ligji.