Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Investimi në Përroin e Gurrës zgjidh problematikat e përmbytjeve

Përroi i Gurrës së Shushicës ka qenë një nga problematikat më të mëdha që ka hasur Bashkia Elbasan, për shkak të prurjeve të inerteve që vijnë nga zonat malore. Disa muaj më parë, Bashkia ndërhyri me një projekt të rëndësishëm për të parandaluar ardhjen e inerteve në këtë përrua, duke mundësuar prita malore. Ndërkohë, para disa ditësh, është pastruar edhe Gurra e Poshtme, një hap tjetër kyç për përmirësimin e kushteve mjedisore.

Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja i shoqëruar nga Drejtuesi Politik i Qarkut, Arbjan Mazniku, zhvilluan një inspektim të përbashkët në Përroin e Gurrës, ku ata vlerësuan nga afër përfundimin e një projekti të rëndësishëm për lidhjen e lagjes Çerrëve me Varrezat e fshatit, si dhe për ndihmën në përmirësimin e infrastrukturës në pjesën tjetër të Shushicës.

Kreu i Bashkisë, Gledian Llatja gjatë inspektimit theksoi se “në zonat e sipërme, shirat dhe prurjet e inerteve krijonin vështirësi të mëdha duke përmbytur shtëpitë, ndërsa në zonat e poshtme vërshimet godisnin parcelat bujqësore. Gjatë viteve të fundit, kemi ndërmarrë masa konkrete për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve dhe vazhdojmë të realizojmë investime të tjera për të përmirësuar jetesën e tyre. Kur kam ardhur para disa vitesh në Shushicë, si kandidat për kryetar bashkie, nuk kishte asnjë metër asfalt të hedhur deri tek qendra e fshatit. Sot kemi më shumë se 5 kilometra rrugë të shtruara brenda fshatit, dhe jemi duke investuar edhe për 2 kilometra të tjera.”

Duke vijuar, ai shtoi se “po ashtu, kemi bërë rregullime të ndriçimit dhe shumë investime të tjera që kanë përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën. Ky është një angazhim i qëndrueshëm për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e zones, si edhe një përgjigje ndaj kërkesave të banorëve për të zgjidhur problemet me përmbytjet dhe për të garantuar një mjedis më të sigurt dhe më të zhvilluar.”

Drejtuesi Politik i Qarkut, Arbjan Mazniku, u shpreh se, “ky është një projekt i madh që ka përfshirë zona me parcela bujqësore, të cilat janë punuar nga vetë banorët. Por sigurisht, ka disa gjëra që nuk mund t’i bëjnë vetë banorët dhe që duhen mbështetur nga shteti. Ky investim tregon angazhimin e qeverisë dhe të Bashkisë për zhvillimin e kësaj zone dhe të përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e Shushicës.”

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e reformës administrative të bërë para 10 vitesh, e cila i bashkoi ish-komunat me Bashkinë dhe mundësoi investime edhe në zonat që më parë nuk kishin mundësi të zhvillonin projekte për shkak të burimeve të kufizuara financiare. “Tani, falë buxheteve më të mëdha dhe alokimeve të mundshme nga qeveria, investimet po shtrihen në të gjitha zonat, duke përfshirë edhe ato rreth qytetit. Ky projekt në Shushicë është një shembull i qartë i angazhimit tonë për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të nxitur zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit”, përfundoi Mazniku.

Shushica, një nga fshatrat më të mëdhenj të Elbasanit me rreth 4000 banorë, ka njohur investime të shumta nga ana e Bashkisë, por ka qenë e domosdoshme ndërlidhja e dy lagjeve të mëdha që ajo ka. Ky investim është një kërkesë e gjatë e banorëve të fshatit, të cilët kanë pasur probleme të vazhdueshme me përmbytjet e shtëpive dhe parcelave bujqësore, pasojë e prurjeve të përrenjve dhe inerteve që vinin nga zonat e Shpatit.