Llatja/ 10 atletët ukrainas, të sigurtë dhe mirëpritur në Elbasan!
Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja, si edhe kreu i KOKSH Fidel Ylli, kanë pritur ekipin me 10 atletë dhe sportistë elitarë nga Ukraina, të cilët janë vendosur në qytetin e Elbasanit.
Atletët do të akomodohen për një periudhë të pacaktuar dhe do të stërviten në stadiumin “Elbasan Arena”.
Pasi i ka uruar mirëseardhjen, Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja pohon se atletëve i janë krijuar të gjitha kushtet për aq kohë sa do të qëndrojnë në Elbasan.
“Morëm masat që të jenë të sigurtë dhe të vazhdojnë stërvitjen në Elbasan.
Kemi pasur kontakte me FSHA për krijimin e kushteve, jo vetëm të stërvitjes, por për gjithçka i nevojitet një sportisti. Elbasani ka hapur përherë dyert për këdo që ka pasur nevojë. Sot, është një komb mik që ka nevojë për Shqipërinë dhe Elbasanin dhe ky qytet u është gjendur gjithnjë pranë. Bizneset na janë gjendur të gjithë pranë dhe i falenderoj për mbështetejn maksimale, ashtu si edhe qytetarët. Uroj të shkojnë sa më të sigurtë dhe shpejtë në shtëpinë e tyre, por për sa kohë janë në Elbasan ne do t’i sigurojmë gjithçka që kanë nevojë”, u shpreh Kryebashkiaku.
Presidenti i KOKSH, Fidel Ylli, pohoi se janë të gatshëm të mbajnë edhe më shumë sportistë.
“FSHA në bashkëpunim me KOKSH kanë patur një kontakt të vazhdueshëm me presidentin e Federatës së Atletikës Ukrainase, Sergei Butka, një muaj rresht. Kanë bërë një rrugë të gjatë, kanë lënë familjet e tyre atje dhe ne kemi për detyrë si familje olimpike dhe së bashku me FSHA, qeverinë dhe Bashkinë e Elbasanit, që këtyre atletëve t’i krijojmë kushte dhe mundësi për të qëndruar, të sërviten dhe komunikojnë me familje e tyre”.
Ekipi me atletë të rinj nga Ukraina, kryesisht nxënës dhe studentë, do të stërviten në pistën e stadiumit “ Elbasan Arena”, një nga më të mirat në vendin tonë. Në një të ardhme pritet që këtij grupi sportistësh ti bashkohen edhe dhjetra të tjerë.