Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Llatja: Elbasani, qyteti që renditet me zero kultivim në hartën e kultivimit të lëndëve narkotike.

Sot, Elbasani renditet tek Bashkitë me zero kultivim të lëndëve narkotike dhe kjo është me të vëtetë një arritje.Në një takim në sallën e teatrit ” Skampa” për të inkurajuar strukturat  lokale dhe nxitur bashkëpunimin e mirë të deritanishëm ndaj luftës së kultivimit të bimëve narkotike, kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja pohoi se: “kemi një sfidë të përbashkët ne si shoqëri, pa dallime për të luftuar kultivimin e kanabisit në shqipëri. Ne kemi fatin e mirë sepse jemi Bashkia me nivelin zero të kultivimit të lëndëve narkotike, por, ne duhet të jemi avangart në ruajtjen dhe monitorimin e territorit në të gjithë vendin, jo vetëm në qytet por edhe në fshatrat më të largët. Kemi zona të thella në Elbasan, kemi shtëpi të abandonuara si në qytet ashtu eshe në fshat, të cilat bëhen vatra të lëndëve narkotike ku kultivohen pa rënë në sy. Kjo luftë është e përbashkët, e pushtetit vendor, komunitetit të Elbasanit dhe të gjitha institucioneve të tjera. Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për këtë luftë të vazhdueshme të komunitetit për të mirën tonë të përbashkët. Lufta kundër kultivimit të lënëve narkotike nuk është vetëm luftë e Elbasanit por e të gjithë Shqipërisë, e cila kërkon disponibilitet maksimal dhe bashkëpunim të gjitha strukturave. Një punë të rëndësishme në këtë proces kanë hallkat inspektuese, edhe pse me problematika për shkak të terrenit, por informacioni duhet te ndërlidhet dhe të veprohet sa më shpejt të jetë e mundur. OSHE ka një rëndësi të madhe në luftën kundër kanabisit, pasi aty ku konstaton konsum të lartë energjie dhe ka dyshime duhet të ndërhyjë në bashkëpunim me kryepleqtë dhe strukturat përkatëse. Nëse kemi dyshime për kultivimin e lëndëve narkotike duhet të jemi ne të parët që duhet të ngrijmë zërin.  Elbasani ka pasur dhe ka një traditë që nuk e ka kultivuar lëndën narkotike dhe duhet ta vazhdojmë këtë traditë. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me strukturat me drejtin e Policisë së shtetit, shërbimet përkatëse informative, shefat e komisariateve, të gjithë bashkë ne jemi një strukturë” . Sipas kreut të Bashkisë ” parandalimi i kultivimit të lëndëve narkotike është shprehje e vendosmërisë sonë për t’i dhënë fund këtij kërcënimi që shkakton dëme të pamatshme për mijëra përdorues individualë, që shkatërron familje, që kërcënon strukturën morale të shoqërisë sonë si edhe dëmton ekonominë e ndershme.Puna e institucionit që unë drejtoj është e shtrirë në disa drejtime, siç është edhe mbështetja dhe fuqizimi i të rinjve. Bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare të tilla si projekti RAYS (i mbështetur nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar), është vetëm një nga shembujt se si ne mbështesim të rinjtë që të mos angazhohen në sjellje kriminale. Gjithashtu, investimet e zhvilluara në sport, art, kulturë dhe punësim ndihmojnë në arritjen e qëllimit tonë të përbashkët. Nëpërmjet kësaj qasjeje ne kemi mundësinë që të trajtojmë shkaqet që i shtyjnë shumë të rinj drejt konsumimit të lëndëve narkotike.Gjatë vitit të kaluar, në kuadër të luftës kundër kultivimit të lëndëve narkotike janë ushtruar kontrolle në të gjithë territorin e Bashkisë Elbasan. Gjatë kësaj periudhe punonjësit e Policisë Bashkiake janë vënë në mbështetje të Njësive Administrative dhe Kryetarëve të fshatrave me qëllim evidentimin e serave, tuneleve, vendstrehimeve nëntokësore, magazinave, shtëpive dhe objekteve të braktisura, etj… Ne do të vazhdojmë të punojmë edhe më fort jo vetëm për të parandaluar kultivimin e lëndëve por edhe identifikimin e hotspoteve të përdorimit të lëndëve narktoike. Në muajt në vijim ne do të vazhdojmë me ushtrimin e kontrolleve për kultivimin e lëndëve narkotike. Në këtë kontekst do të kërkoja nga të gjithë ju angazhimin maksimal dhe koordinimin e punës për të rritur sa më shumë efikasitetin në luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike.Unë u kërkoj burrave dhe grave guximtare të agjencive tona ligjzbatuese, prokurorisë dhe gjyqësorit si edhe të gjithë bashkëpunëtorëve tanë që të mos lëkunden kurrë në detyrën e tyre të vështirë, por edhe shpërblyese. Tashmë kemi arritur shumë në këto vite të fundit dhe mund të arrijmë më shumë në vitet e ardhshme.Ne duhet të qëndrojmë të palëkundur në fushatën tonë jo vetëm duke intensifikuar operacionet tona kundër kultivimit trafikimit të lëndëve narkotike por dhe duke trajtuar shkakun rrënjësor të abuzimit dhe varësisë nga droga.Dhënia fund e kultivimit të lëndëve narktoike do të thotë të sigurojmë të ardhmen e qytetit tonë. Së bashku, le të mundësojmë trashëgiminë më të madhe që mund t’u lëmë pas fëmijëve tanë dhe brezave pasardhës, NJË SHOQËRI PA DROGË- përfundoi fjalën e tij kryetari Llatja.Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga institucionet e rëndësishme të qytetit, si prefektja znj. Majlinda Perriu, përfaqësues nga policia z. Ardian Çipa, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan dhe prokuroria Elbasan z. Kreshnik Ajazi, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan si dhe kryepleqtë e Njësive Administrative të bashkisë Elbasan.