Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Memorandum i Mirëkuptimit: Elbasani po transformohet përmes rikualifikimit të lagjes Kala

Sot, në një ngjarje të rëndësishme për qytetin e Elbasanit, është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi mes Bashkisë Elbasan, Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe Ministrisë së Shtetit për Pushtetin Vendor (MSHPV). Ky Memorandum ka si qëllim rikualifikimin e lagjes Kala të qytetit, një zonë me vlera të pasura kulturore, historike dhe me potencial të madh për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit.

Rikualifikimi i lagjes Kala është vlerësuar si një ndërhyrje me interes publik dhe një mundësi e shkëlqyer për rritjen e turizmit dhe zhvillimin e bizneseve lokale. Ky projekt ka për qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët dhe bizneset në zonë.

Memorandumi i Mirëkuptimit u firmos nga,Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, Bashkëdrejtorët Ekzekutivë të AADF-së, z. Aleksandër Sarapuli & z. Martin Mata, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, z. Blendi Gonxhja, si edhe Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij projekti për qytetin, duke e konsideruar si një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e Elbasanit si një destinacion turistik të rëndësishëm. Ai u shpreh se ky projekt do të sjellë përfitime të mëdha për komunitetin dhe do të krijojë mundësi të reja pune dhe zhvillimi ekonomik.

“Puna jonë e përditshme, e dedikuar terësisht për qytetin dhe qytetarët pa dallim është shënjim i një vale të re transformimesh për qytetin, ku historia dhe progresi ndërthurren për të sjellë mundësi të reja duke e kthyer Elbasanin në një pikë referimi të asaj çka sjell puna e njerëzve të zakonshëm në të mirë të vendit”.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) do të kontribuoj me mbështetje financiare dhe përvojën e tij të pasur në realizimin e projekteve të ngjashme në qytete të tjera të Shqipërisë si Shkodra, Korça, Berat, Kruja, Gjirokastra dhe Vlora. Ky angazhim do të sigurojë një plan të mirëfilltë dhe një ndërhyrje të suksesshme për revitalizimin e lagjes Kala.

 AADF ka pasur një impakt të dukshëm në zhvillimin e biznesit dhe turizmit në disa qytete të Shqipërisë. Disa nga rezultatet e suksesshme të projekteve të realizuara përfshijnë mbështetje për më shumë se 1,050 biznese, rritje të vizitave turistike me mbi 110% dhe një vlerë të shtuar prej 120 milionë dollarë në zonat e zhvilluara.

Objektivat kryesore të projektit përfshijnë, rikualifikimin e lagjes Kala të Elbasanit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Përmirësimin e administratës dhe angazhimin e bizneseve dhe banorëve të zones. Promovimin e Elbasanit si destinacion turistik dhe ofrimin e mundësive për sipërmarrësit lokalë.

Faza e parë e projektit do të përfshijë analizën e të dhënave dhe përgatitjen e një koncepti zhvillimi, si dhe të një projekti teknik për dy zona kryesore të lagjes Kala.

Ky projekt përfaqëson një hap të rëndësishëm në zhvillimin e qytetit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e lagjes Kala, duke ofruar mundësi të reja për të gjithë ata që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të zonës.