Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Në zhvillim projekti “Krusheva dhe Elbasani” për turizmin e aventurës dhe natyres

Në Bashkinë e Elbasanit u organizua takimi i radhës i grupit të punës për projektin “Krusheva dhe Elbasani — Udhëtim në Natyrë dhe Aventurë”, një nismë që synon zhvillimin e turizmit natyror dhe të aventurës në zonën e Elbasanit, në bashkëpunim me organizatën partnere TVO.

Takimi u drejtua nga Nënkryetari i Bashkisë Elbasan, Asim Sula, dhe mblodhi përfaqësues të drejtorive përkatëse të bashkisë dhe partnerëve të projektit. Gjatë takimit u vlerësua ecuria e deritanishme e zbatimit të projektit, si dhe u diskutuan hapat që do të ndërmerren në vijim për realizimin e aktiviteteve të planifikuara.

Në fokus të diskutimeve ishte organizimi i një trajnimi që do të zhvillohet më 11 dhe 12 qershor, ku do të marrin pjesë përfaqësues nga Bashkia Elbasan dhe bashkitë e qarkut, përfshirë Gramshin, Librazhdin, Cërrikun, Prrenjasin, Peqinin dhe Belshin.

Po ashtu, u shqyrtua mundësia që Festa e Funarit, e parashikuar për datat 25 ose 26 qershor, të shërbejë si një moment promovues i projektit, duke u lidhur me ceremoninë e hapjes së punimeve të Parkut dhe Parkimit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit me komunitetin dhe partnerët lokalë.

Në përfundim të takimit, Nënkryetari Asim Sula vlerësoi angazhimin e të gjitha palëve të përfshira dhe theksoi rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm për përmbushjen me sukses të objektivave të projektit.