Nga kërkesë e banorëve në realitet, 5 Maji merr një pamje të re, synohen investime të tjera moderne
Shtrimi me asfalt i një sheshi të madh mes pallateve në lagjen ‘5 Maji’ një nga zonat më të mëdha të qytetit eshte drejt fundit , investim i cili u inspektua nga kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, dhe deputeti Adi Qose.
Ky projekt, i realizuar nga Bashkia e Elbasanit me një fond prej 66 milion lekësh, erdhi si kërkesë e vetë banorëve përmes procesit të buxhetimit me pjesëmarrje.”
Në total janë trajtuar rreth 16 mijë m² sipërfaqe, duke përfituar drejtpërdrejt 27 pallate të ndërtuara para viteve ’90, ndërsa mbi 10 objekte pa leje janë prishur. Ky investim ndikon drejtpërdrejt në jetën e rreth 1200 banorëve të zonës.
Paralelisht me këtë investim, parashikohet që në vijim të ndërhyhet edhe për veshjen me sistem kapot të pallateve, si dhe rritjen e eficencës energjetike, duke synuar uljen e kostove për banorët dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, u shpreh se bëhet fjalë për një ndërhyrje të plotë, tashmë në fazën përfundimtare, ku janë parashikuar edhe hapësira të gjelbra mes pallateve. Ai theksoi se lulishtet do të pajisen me sistem vaditjeje për të shmangur problematikat gjatë verës, si edhe janë mbjellë pemë për të përmirësuar cilësinë e jetesës.
Nga ana tjetër, drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, e cilësoi këtë si një investim të jashtëzakonshëm për jetën e përditshme të banorëve. Sipas tij, ndërhyrje të tilla kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e jetesës, pasi lidhen me hapësirat ku qytetarët kalojnë përditshmërinë e tyre, nga parkimi, te hapësirat për fëmijët.
Mazniku theksoi gjithashtu nevojën që, në një fazë të dytë, të ndërhyhet në fasadat e pallateve përmes bashkëpunimit me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, duke i dhënë të gjithë lagjes një pamje të re dhe më moderne.
Ndërkohë, kryebashkiaku Llatja shtoi se në këto godina mund të ndërhyhet edhe në taraca për vendosjen e sistemeve fotovoltaike, me qëllim sigurimin e energjisë me kosto më të ulët për banorët, si dhe për të ndihmuar familjet në nevojë.
Në të njëjtën linjë, Mazniku u shpreh se nëse këtij investimi i shtohet edhe rikonstruksioni i fasadave dhe rritja e eficiencës energjetike, zona do të marrë një standard europian jetese, duke rritur njëkohësisht edhe vlerën e pronës për banorët.
Edhe deputeti i zonës, Adi Qose, vlerësoi modelin e buxhetimit me pjesëmarrje që po zbatohet nga Bashkia e Elbasanit, duke theksuar se ky projekt është një dëshmi konkrete se zëri i qytetarëve dëgjohet dhe kthehet në investime reale. Ai mirëpriti gjithashtu projektin e ardhshëm për veshjen me kapot të pallateve, si një ndërhyrje që do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin.
Banorët e zonës, shumë prej të cilëve jetojnë prej më shumë se 35 vitesh në këtë lagje, shprehen të kënaqur me investimin, duke theksuar se për herë të parë po realizohet një ndërhyrje kaq cilësore. Sipas tyre, një kërkesë e kahershme është kthyer në realitet, duke e shndërruar zonën në një lagje model, ku përfitojnë veçanërisht të moshuarit dhe fëmijët.