Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Një tjetër projekt për integrimin e minoritetit Rom dhe Egjiptian përmes arsimit dhe punësimit në Elbasan

Në shkollën “Qemal Haxhihasani” u zhvillua një takim mes kryetarit të bashkisë, z. Gledian Llatja, dhe drejtuesit të fondacionit për Ballkanin Perëndimor “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, z. Andi Dobrushi.

 Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i projektit “Integrimi i pakicave etnike, Rome dhe Egjiptiane përmes arsimit dhe punësimit”, mbështetur nga programi InclusiveEduJobs i financuar nga BE.

Z. Llatja theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke vënë në dukje se bashkia dhe fondacioni kanë punuar së bashku për të mbështetur shtresat më në nevojë dhe minoritetet.

“Kemi punësuar 14 gra nga këto minoritete në punë të pjesshme dhe ato përfitojnë edhen nga skema të tjera mbështetëse. Kjo ndihmon komunitetin, jo vetëm duke i parë si përfitues, por edhe si kontribues të drejtpërdrejtë në jetën dhe aktivitetin social të qytetit,” tha z. Llatja. Ai gjithashtu shtoi se në bashkëpunim me fondacionin dhe BE-në, kanë mbështetur 30 nxënës me bursa për të motivuar ata dhe familjet e tyre që të mos braktisin shkollën dhe të kenë një të ardhme të sigurt.

Z. Llatja e vlerësoi projektin si një nismë që sjell shumë shpresë për zgjidhjen e problematikave të komunitetit. Ai falënderoi fondacionin, BE-në, donatorët, stafin mësimdhënës, zyrën e punës dhe qendrën e formimit profesional për kontributin e tyre në trajnimin dhe integrimin e personave që duan të futen në tregun e punës.

Drejtori i fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, z. Andi Dobrushi, tha se “kemi 30 vjet që mbështesim minoritetin Rom dhe Egjiptian dhe gjithmonë janë treguar të mirëkuptueshëm në zbatimin e projekteve për punësim, edukim dhe arsim. Në Elbasan kemi gjetur një qasje mendjehapur nga bashkia dhe komuniteti për të kuptuar rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në të drejtat e tyre dhe kontributin që duhet të japin.”

Z. Dobrushi theksoi se raportet mes komuniteteve Rom dhe Egjiptian në bashkinë e Elbasanit janë një model që duhet të përcillet më tej.

Projekti ka nisur para dy vjetësh dhe ka pasur rezultate të suksesshme. Këtë vit, projekti vjen me një risi, duke integruar të rinjtë dhe prindërit që duan të punojnë.