Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Parandalimi përmes edukimit, aktivitet sensibilizues në Elbasan për Ditën Ndërkombëtare të Reduktimit të Riskut nga Fatkeqësitë

Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë, në kuadër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, së bashku me UNDP Albania dhe Bashkinë e Elbasanit zhvilluam aktivitetin ndërgjegjësues për rëndësinë e parandalimit, përgatitjes dhe reagimit të koordinuar ndaj rreziqeve natyrore dhe emergjencave.

Në aktivitet morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, z. Haki Çako, Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, si dhe përfaqësues nga Prefektura e Qarkut Elbasan dhe institucione të tjera vendore.

Gjatë aktivitetit, u informuan dhe ndërgjegjësuan qytetarët mbi mënyrat e mbrojtjes, veprimet që duhen ndërmarrë në situata emergjente dhe rëndësinë e bashkëpunimit për ndërtimin e komuniteteve më të sigurta dhe më të qëndrueshme. Gjithashtu, qytetarët u njohën me pajisje të emergjencës, materiale ndërgjegjësuese, udhëzues praktikë dhe aktivitete ndërvepruese mbi mënyrat e reagimit në situata të rrezikut.

Më pas, u zhvillua një ndalesë në shkollën e mesme “Kostandin Kristoforidhi”, ku u organizua një simulim i një emergjence nga zjarri. Nxënësit, nën drejtimin e mësuesve dhe ekipeve të zjarrfikësve, shërbimit të urgjencës mjekësore dhe vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar, demonstruan mënyrat e evakuimit dhe reagimit në raste emergjente, duke treguar rëndësinë e njohjes së procedurave të mbrojtjes dhe vetëndihmës.

Fushata “Mbrojtja Civile në Turne 2025” zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), me mbështetjen e UNDP në Shqipëri, në kuadër të projektit “RESEAL – Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave në Shqipëri”, të financuar nga Qeveria Suedeze (Sida), Qeveria Zviceriane  (SECO) dhe bashkëfinancuar nga Qeveria e Portugalisë dhe Qeveria Shqiptare