Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Prezantohet projekt-ideja e një vizioni të ri për Kalanë e Elbasanit

Është prezantuar projekt-ideja  për rivitalizimin e Kalasë së Elbasanit, në praninë e Kryeministrit Edi Rama, Kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja ministrit Blendi Gonxhe, drejtuesit politik Arbjan Mazniku, kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, si dhe bashkëdrejtuesve të AADF, Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Projekt-ideja, e mbështetur nga AADF dhe e realizuar me ekspertizën e arkitektit të njohur Emre Arolat në bashkëpunim me MVM Architecture, synon t’i rikthejë kalasë identitetin historik, vlerat arkeologjike dhe rolin e saj si një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore e turistike në vend.

Projekti parashikon ndërhyrje të integruara për përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e potencialit turistik dhe rijetëzimin e zonës historike, me synimin për ta kthyer Kalanë në një motor të ri zhvillimi ekonomik dhe kulturor për Elbasanin.

Po ashtu  do të kryhet restaurimi dhe rijetëzimi i zonës historike brenda kalasë, përmirësimin e hapësirave publike, zhvillimin e infrastrukturës për vizitorët dhe krijimin e ambienteve multifunksionale për aktivitete kulturore, artistike dhe turistike.

Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja e ka cilësuar projektin si një kapitull të ri për Elbasanin, duke theksuar se Kalaja do të kthehet në një pikë kyçe të identitetit historik dhe zhvillimit ekonomik të qytetit. 

Ai ka deklaruar se ndërhyrjet do të ruajnë autenticitetin historik të zonës, duke i dhënë njëkohësisht një frymë të re zhvillimi.

 
Kalaja e Elbasanit konsiderohet një ndër më të rëndësishmet kala fushore në Ballkan, me histori që daton që nga periudha romake. Përmes këtij projekti synohet ruajtja e trashëgimisë historike dhe kthimi i saj në një motor zhvillimi ekonomik dhe turistik për qytetin.

Bashkia Elbasan dhe institucionet partnere kanë bërë të ditur se do të ndjekin të gjitha fazat e projektit deri në miratimin dhe zbatimin final të tij, me synimin që Kalaja të marrë një identitet të ri urban dhe kulturor.