Programi “Toka në Shkollë” zgjerohet në shkollat e Elbasanit
Programi “Toka në Shkollë” po shtrihet në gjithnjë e më shumë institucione arsimore në Bashkinë Elbasan, duke u ofruar nxënësve mundësinë të mësojnë përmes praktikës dhe kontaktit të drejtpërdrejtë me natyrën.
Një prej shembujve të këtij programi është edhe shkolla e Kuqanit, ku serat didaktike janë kthyer në një hapësirë mësimore të veçantë. Përmes aktiviteteve praktike, nxënësit njihen me proceset e kultivimit, kujdesin për bimët dhe rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Bashkia Elbasan po punon për zgjerimin e këtij programi në shkolla të tjera, me synimin për të krijuar ambiente ku fëmijët mësojnë duke vëzhguar, eksperimentuar dhe zhvilluar aftësi praktike që lidhen me natyrën dhe bujqësinë.
Programi “Toka në Shkollë” synon të forcojë edukimin mjedisor dhe të nxisë tek brezat e rinj dashurinë për tokën, punën dhe natyrën.