Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

QERSHI DHE DASHURI, NJË TRADITË NË GODOLESHIN PIKTORESK

Festa e Qershisë ka mbledhur qindra qytetarë elbasanas por edhe shume turiste në Godoleshin piktoresk, ku ky frut i bukur dhe shumë i dashur për të gjithë kultivohet në këtë zonë.

Kjo festë është kthyer në një traditë të rëndësishme që organizohet çdo vit më 1 Qershor nga Bashkia e Elbasanit.

Në këtë ditë të veçantë, zona e Godoleshit transformohet në një panair plot ngjyra dhe shije, ku vizitorët mund të shijojnë qershitë e freskëta dhe produktet e ndryshme të përgatitura nga ky frut.

 Gjithashtu, panairi ofron punime artizanale të realizuara me mjeshtëri nga zonjat e zonës, duke sjellë një atmosferë të gjallë dhe autentike për të gjithë pjesëmarrësit. Nuk mungojnë as gatimet tradicionale dhe një gamë e gjerë aktivitetesh, duke përfshirë koncerte dhe valle popullore.

Kryetari i Bashkisë, edhe këtë vit, falenderoi punëtorët e palodhur të zonës së Godoleshit, duke iu uruar një prodhim të mbarë dhe fitime sa më të mëdha nga tregtimi i qershive. Ai theksoi se kjo zonë është në kulmin e sezonit dhe ka një rëndësi të madhe për ekonominë e zonës.

Godoleshi, me peizazhin e tij të mrekullueshëm, është një nga fshatrat e zonës që prodhon mijëra tonë qershi. Për banorët, ky frut është burimi kryesor i të ardhurave dhe siguron jetesën e tyre.

Festa e Qershisë është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar prodhimin lokal dhe për të forcuar komunitetin, duke sjellë së bashku njerëzit në një atmosferë festive dhe plot gëzim.