Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Sofra e Elbasanit” bën bashkë kulinarinë, folklorin dhe traditën

Elbasani, qyteti i shumë portave dhe sofrave ka hapur dyert dhe mirëpret me qindra miq jo vetëm nga vendi, por edhe trojet shqipfolëse e më tej, për të festuar Ditën e Verës. 

Tradita shekullore në Elbasanin e luleve, ëmbëlsirës së ballokumes, në qytetin e artit, kulturës, arsimit, trashëgimisë kulturore dhe kulinarisë vazhdon, ku sofrat e qytetit janë të shtruara për të gjithë miqtë për t’i uruar mirëseardhjen pranverës. 

Si festë pagane, “Dita e Verës’, shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë. 

Ndaj, Elbasani është shndërruar në kryeqendër të festimeve edhe këtë 14 mars, ku nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Gledian Llatja, do të realizohen një sërë aktivitetesh artistike, për fëmijë, të rinj e të rritur. 

Festimet e ditës së verës kanë nisur me shumë aktivitete si edhe “Sofra e Elbasanit” me temë “S’vyshket Lulja e e Elbasanit, s’mehet Sofra e Bujarisë”, ku gërshetohet tradita, e lashta me modernen, e bukura dhe kënaqësia, miqësia dhe dashuria. 

Qendra e Artit, ka sjellë ripërjetimin e Sofrës Elbasanase, që bën bashkë kulinarinë, folklorin dhe traditën. E konceptuar me dekor që sjell ndjesinë e Kalasë së Elbasanit, inskenim i dasmave të vjetra elbasanase, gatim live si në një shtëpi të vjetër Elbasani. 

“Sofra e Elbasanit” ka qenë gjithmonë plot per miqtë, ndaj mirëseerdhët në Elbasan. Ne kemi shumë tradita qytetare, shumë këngë, ndaj uroj të kënaqeni bashkë me miqtë e tonë në Elbasan. Këto janë vlerat tona, ne jemi ai qytet i lashtë që ka mbjell kulturën, dijen dhe arsimin. Ne jemi Elbasani, dhe ne e kemi traditën e Ditës së Verës të cilën do ta vazhdojmë ta trashëgojmë ndër breza”, tha Llatja. 

Në këtë event kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre deputetët e Elbasanit si edhe drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, artistë të këngës popullore, tenori Kastriot Tusha, vëllezërit Zena, Shkëlzen Jetishi. 

Sofrën e ka përshëndetur Ansambli Kombëtar i Tiranës, si edhe etnologu Thanas Meksi, i cili kontributin e tij e ka dhënë duke shkruar për vlerat e Elbasanit. 

Elbasanllinjtë në “Ditën e Verës” mblidhen në sofra dhe festojnë për më shumë begati e shëndet, ata falënderojnë natyrën, Perëndinë për këtë mrekulli qe ka dhuruar, stinën e verës.