Turistë francezë në Muzeun Etnografik të Elbasanit
Muzeu Etnografik i qytetit vazhdon të tërheqë vëmendjen e turistëve të huaj dhe vendas, të cilët zgjedhin të njihen nga afër me traditën, kulturën dhe historinë e pasur të qytetit. Së fundmi, muzeu u vizitua nga një grup turistësh francezë, të cilët shfaqën interes të veçantë për zejet tradicionale dhe mënyrën e jetesës së dikurshme.
Gjatë vizitës, turistët u njohën me ambientet karakteristike të muzeut, objektet artizanale dhe punimet e ruajtura ndër vite, që pasqyrojnë jetën qytetare dhe traditat e Elbasanit. Ata u ndalën veçanërisht te zejet tradicionale, duke vlerësuar mjeshtërinë dhe historinë që mbartin këto objekte.
Muzeu Etnografik mbetet një nga pikat më të rëndësishme kulturore të qytetit, duke mirëpritur çdo dite vizitorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët përmes këtij institucioni njihen me trashëgiminë kulturore dhe identitetin e qytetit të Elbasanit.