Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Vijon turi i takimeve për buxhetin afatmesëm në Njësinë Administrative Papër

Bashkia Elbasan ka vijuar turin e konsultimeve publike për hartimin e buxhetit afatmesëm 3-vjeçar në Njësinë Administrative Papër, ku kryebashkiaku Gledian Llatja prezantoi investimet dhe prioritetet kryesore për zonën.

Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Llatja theksoi se buxheti afatmesëm është një instrument zhvillimi që shkon përtej planifikimit vjetor, duke garantuar ndërhyrje konkrete dhe të qëndrueshme në komunitet.

“Ky është më shumë sesa një buxhet vjetor. Kemi parashikuar një sërë investimesh për këtë vit në Papër, duke nisur nga përfundimi i projektit për asfaltimin e sheshit të njësisë administrative, një rrugë e rëndësishme që do të vijojë deri tek kthesa e Tampës dhe më tej në aksin Papër–Pajun,” u shpreh ai.

Një tjetër ndërhyrje e rëndësishme lidhet me përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Vidhas, ku do të zëvendësohet tubacioni i amortizuar i ujësjellësit, një problem i kahershëm për banorët. Sipas kryebashkiakut, punimet për rehabilitimin e këtij sistemi do të nisin së shpejti në bashkëpunim me ndërmarrjen e ujësjellësit.

Po ashtu, në fokus të investimeve mbetet edhe infrastruktura rrugore, ku është parashikuar ndërhyrja në segmentin nga nënstacioni deri në Vidhas, me një gjatësi rreth 1 kilometër.

Llatja bëri të ditur se Bashkia po punon edhe për projekte strategjike që synojnë zhvillimin afatgjatë të zonës, përtej zgjidhjes së problematikave infrastrukturore. Një ndër to është hartimi i masterplanit të zonës së Metalurgjikut, i cili pritet të adresojë një sërë çështjesh mjedisore, veçanërisht në lidhje me fushën e Paprit, lumin Shkumbin dhe tokat bujqësore që vaditen në këtë zonë.

Një mundësi e re zhvillimi për banorët e Paprit dhe fshatrave përreth është edhe “Paketa e Maleve”, e cila synon të nxisë investimet në agroturizëm dhe ekonomi rurale. Kryebashkiaku ftoi qytetarët të aplikojnë, duke e cilësuar këtë si një mundësi konkrete për të zhvilluar pronat e tyre dhe për të gjallëruar jetën ekonomike në fshat.

“Kjo është një paketë e dedikuar për ju. Merrni tokën tuaj, investoni dhe zhvilloni agroturizmin. Bashkia do të jetë mbështetëse në këtë proces, sepse synimi ynë është t’i japim jetë fshatit dhe të krijojmë mundësi reale për zhvillim,” theksoi ai.

Takimi në Papër është pjesë e një serie konsultimesh që Bashkia Elbasan po zhvillon në çdo njësi administrative dhe rajoni në qytet, me qëllim përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe përcaktimin e prioriteteve për vitet në vijim.