Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Muaj: Shtator 2024

Funari: Destinacioni i përsosur për një jetë të shëndetshme dhe aktive

Funari, një nga perlat e fshehura të Shqipërisë, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për të gjithë ata që kërkojnë të kombinojnë shëndetin me natyrën. Me peizazhet e tij të jashtëzakonshme, liqenet e kristalta dhe shtigjet ideale për hiking, kjo zonë ofron një përvojë të veçantë për ata që duan të largohen nga ritmi i zhurmshëm i jetës së përditshme dhe të përfshihen në aktivitete fizike e mendore relaksuese. Fundjava të kaluara në Funar me muzikë, lundrim, ecje në natyrë dhe ajër të pastër janë receta e përsosur për të fituar energji pozitive dhe për të rigjeneruar shpirtin.

Gjatë këtij fundjave, kreu i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, kaluan një ditë të paharrueshme në Funar, duke përjetuar nga afër bukuritë natyrore dhe qetësinë që kjo zonë ofron. Krahas pjesëmarrjes në aktivitete turistike dhe eksplorimin e peizazheve mahnitëse, ata inspektuan gjithashtu punimet e pastrimit të kanaleve kulluese, ku aktualisht po pastrohet një kanal prej 4.2 km, i cili do të shërbejë për ujitjen e mbi 60 hektarë tokë bujqësore. Ky projekt është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të bujqësisë dhe blegtorisë në zonë, duke rritur edhe më shumë potencialin e Funarit si një qendër për zhvillimin e qëndrueshëm.

Banorët lokalë, të njohur për mikpritjen e tyre të ngrohtë, ofrojnë produkte bio dhe artizanale, të cilat turistët kanë mundësinë t’i shijojnë gjatë qëndrimit të tyre. Funari, më shumë sesa një destinacion turistik, përfaqëson një mënyrë jetese ku natyra dhe shëndeti janë në harmoni të plotë.

Vizitë e veçantë në Kalanë e Elbasanit: Kryetari i Bashkisë pret Ministrin e Shtetit dhe drejtuesit e AADF

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, priti në një vizitë të veçantë Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, z. Arbjan Mazniku, si dhe drejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), z. Martin Mata dhe z. Aleksandër Sarapuli. Kjo vizitë u zhvillua në lagjen historike të Kalasë së Elbasanit, ku rrugicat e ngushta dhe banesat shekullore treguan edhe një herë bukurinë dhe rëndësinë e kësaj pasurie kulturore.

Gjatë kësaj vizite, u diskutuan mundësitë për projekte të reja që synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë kulturore të qytetit, duke e shndërruar Kalanë në një destinacion tërheqës turistik. Bashkëpunimet e reja mes pushtetit lokal dhe partnerëve ndërkombëtarë synojnë të promovojnë vlerat kulturore dhe historike të zonës, duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe turistik të Elbasanit.

Njoftim për mbledhjen e Këshillit Bashkiak

NJOFTIM

Lënda: Njoftim për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak Elbasan.

Ju njoftojmë se më datë 30.09.2024 zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak Elbasan e thirrur nga Kryetari i Këshillit në bazë të Ligjit 139/2015, neni 53 pika 4), në ambjentet e qendres rinore, me këtë rend dite:

  1. Miratimi i rendit të ditës së Mbledhjes.
  2. Miratimi i procesverbaleve të muajit Korrik datë 30.07.2024 dhe muajit Gusht 27.08.2024.
  3. Miratimi i ndihmës ekonomike nga fondi i bashkisë për muajin Gusht 2024.
    1. Miratimi i ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për muajin Gusht 2024.
  4. Mbi dhënien e mandatit të anëtarit të Këshillit Bashkiak Znj. Areta Kumria.
  5. Mbi ngritjen e memorialit në përkujtim të qëndrës dhe ngjarjeve më të rëndësishme të zonës nga sundimi turk deri pas Luftës së Dytë Botërore (në fshatin Seltë, Nj. Adm. Zavalinë)
  6. Për vendosjen në institucionet rezidenciale të shërbimeve sociale të Z. Stavri Stefan Skënderi.
  7. Mbi miratimin e vlerës së qirasë mesatare të banesave në tregun e lirë dhe vlerën maksimale të subvencionit të qirasë për vitin 2025.
  8. Marrje me qera (rinovim kontrate) ambjent (strehëz emergjence) për Forumin e Gruas Elbasan.
  9. Për miratimin në parim të hapjes së gjurmës së re të rrugës Dopaj-Funar dhe nisjen e proçedurave për heqjen nga fondi pyjor të sipërfaqeve që kreken nga ky projekt.
  10. Për një ndryshim në VKB Nr. 29 Dt. 28.03.2024 “Për një ndryshim në VKB Nr. 6 dt.26.01.2024 “Për miratimin e normave dhe kritereve për disiplinimin e shpenzimeve për mjete motorike në administrim të ASHPR”
  11. Për një ndryshim në VKB Nr. 7 Dt. 26.01.2024 “Për miratimin e ndarjes së aseteve të Agjensisë së Shërbimeve Publike” ndërmjet ASHPR dhe ASHPU.
  12. Për ndryshimin e VKB Nr. 26 Dt. 28.03.2024 “Për miratimin e përdorimit të fondit të kushtëzur të mbrojtjes civile për vitin 2024”
  13. Për miratimin e vlerës financiare të dëmeve shkaktuar nga djegia e banesës së Z. Ymer Avdi Isaku banor në fshatin Qerret të Njësisë Administrative Labinot Mal dhe dhënien e kompesimit nga ana e Bashkisë Elbasan.
  14. Detajim i shtesës së fondeve nga transferta sektoriale (specifike), për vitin 2024
  15. Miratimi i programit buxhetor afatmesëm 2025-2027, faza e dytë.
  16. Monitorimi i buxhetit për katërmujorin e dytë të vitit 2024.
  17. Miratim akomodimi pa pagesë në godinën Nr. 1 të sh.a Elbasan “Trajtim Studenti”, të pesë studentëve shqiptarë nga Presheva, deri në përfundim të viteve të shkollimit.

Të ndryshme,

  1. Kërkesë nga banorët e fshatit Samurr për rehabilitimin e rrugës së fshatit.
  2. Diskutim mbi kalendarin e konsultimeve publike për projekt buxhetin afatmesëm 2025-2027.
  3. Informacion mbi gjendjen e shkollave dhe kopshteve në Bashkinë Elbasan.

Komisionet do të mblidhen ditën e mërkurë në orën 13:00 në ambjentet e Bashkisë Elbasan, salla e mbledhjes së komisioneve.

Për bursat e vitit shkollor 2024-2025 

NJOFTIM PËR PËRFITIM BURSE

Në mbështetje të VKM-së nr 666 datë 10.10.2019 “Për kuotat financiare të ushqimit në mensa e konvikte dhe përcaktimin e kritereve për përfitimin e bursave e të pagesave për nxënësit e arsimit parauniversitar si dhe format e tjera të përkujdesjes ndaj kategorive të veçanta në institucionet arsimore parauniversitare publike” i ndryshuar,  Bashkia Elbasan fton të gjithë nxënësit, të cilët ndjekin arsimin parauniversitar me kohë të plotë, përfshirë këtu edhe arsimin profesional, për vitin shkollor 2024-2025, të aplikojnë për bursë në përputhje me kriteret e vendosura në VKM-në nr.666/2019 të ndryshuar dhe kuotat e akorduara nga MAS dhe MEKI.

Dokumentacioni i nevojshëm për përfitim burse do të dorëzohet nga nxënësi apo prindërit pranë shkollës në të cilën nxënësi ndjek studimet, ku do të marrin dhe informacionin e detajuar mbi dokumentacionin e nevojshëm për cdo kriter. 

Afati i dorëzimit të dokumentacionit është data 04.10.2024

Suksese!

Marrëveshje për bibliotekën ambulante midis Bibliotekës së Elbasanit dhe Drejtorise së Përgjithshëm të Burgjeve

Në prani të Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, u lidh sot një marrëveshje bashkëpunimi midis Bibliotekës së Elbasanit ” Qemal Baholli” dhe Bibliotekës së Institucionit të Paraburgimit. Kjo marrëveshje synon krijimin e një biblioteke ambulante, e cila do t’u mundësojë të paraburgosurve akses të lehtë dhe të vazhdueshëm në libra dhe literaturë.

Kryetari i Bashkisë, gjatë fjalës së tij, vlerësoi këtë bashkëpunim duke theksuar rëndësinë e rehabilitimit dhe edukimit.

“Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale ka pasur gjithmonë një bashkëpunim të mirë me Bashkinë e Elbasanit. Falënderoj drejtorin dhe stafin për përkushtimin e tyre në rehabilitimin dhe përmirësimin e kushteve për personat që vuajnë dënimin. Kjo është hera e parë që ne krijojmë një bibliotekë të lëvizshme brenda territorit tonë. Ne kemi pasuruar bibliotekat e shkollave tona dhe bibliotekat e tjera të qytetit, përfshirë bibliotekën e rinisë, dhe tashmë edhe atë të paraburgimit në Elbasan. Falënderoj të gjithë për bashkëpunimin në këtë iniciativë që u vjen në ndihmë këtyre personave, duke u ofruar mundësinë të kalojnë kohën brenda institucionit sa më afër librave dhe botimeve më të

Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve falënderoi për këtë nismë duke e cilësuar si një risi për institucionin dhe një kontribut të rëndësishëm në procesin e rehabilitimit.

“Kjo nismë është një risi, pasi është hera e parë që kemi një bibliotekë ambulante në një institucion të paraburgimit në vend. Për personat e paraburgosur, kjo është një pjesë e procesit të rehabilitimit dhe integrimit në shoqëri, pasi këta individë nuk konsiderohen fajtorë deri sa të marrin një vendim gjyqësor. Shoqëria jonë duhet të jetë e para që t’i mbështesë ata, jo vetëm me libra, por në të gjitha format më të mira për rehabilitimin e tyre. Libri ofron dije dhe përmes tij, këta individë do të jenë më pranë familjeve, shoqërisë dhe vazhdimit të jetës.”

Në përfundim të takimit, të dy palët shprehën dëshirën e tyre që ky bashkëpunim të shtrihet edhe në institucione të tjera, duke shërbyer si një shembull për të gjitha bashkitë në vend.

Festa e Bushekut: Një traditë e gjallëruar me ngjyra dhe kulturë

Festa e Bushekut, e kthyer tashmë në një traditë të përvitshme nga Bashkia e Elbasanit, solli sot një ditë të mbushur me aktivitete të larmishme. Nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, z. Gledian Llatja, kjo festë mblodhi së bashku banorë të zonës, të rinj e të vjetër, si dhe shumë vizitorë të apasionuar pas këtij vendi të bukur dhe historik.

Në këtë festë, pjesëmarrësit shijuan një panair të veçantë, ku prodhimet tradicionale të zonës, punimet artizanale dhe veshjet karakteristike të Shushicës shkëlqyen. Gratë dhe vajzat e zonës u dalluan për mjeshtërinë e tyre në përgatitjen e aksesorëve të punuar me dorë, duke sjellë gjallëri dhe ngjyra në atmosferën e festës.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, vlerësoi rëndësinë e kësaj feste, duke theksuar se ” Busheku nuk është vetëm i Shushicës, është i Elbasanit, është i të gjithëve sepse tradicionalisht, gjatë gjithë ekzistencës së tij, ka qenë i pandashëm nga Elbasani. Në fakt, kjo festë është ndër më të bukurat e Njësisë Administrative Shushicë dhe ne do të vazhdojmë t’i pasurojmë këto festa në të ardhmen dhe ta pasurojmë këtë trashëgimi. Ndaj, një falenderim për të gjithë miqtë e ardhur në këtë festë, si edhe turistët, fëmijët dhe të rinjtë që i japin jetë kësaj tradite”.

Deputetja e zonës, znj. Desantila Tahiraj, vuri në dukje bukurinë e natyrës përreth, të pasur me rrapet shekullore dhe burimet ujore që karakterizojnë këtë zonë turistike. Ajo theksoi gjithashtu rëndësinë e rrugës antike Via Egnatia, që kalon pikërisht në këtë rajon.

Ndërsa deputetja Evis Kushi u përqendrua te virtytet e larta dhe mikpritja e banorëve, duke thënë se “Detyra jonë është ta ruajmë dhe ta promovojmë këtë zonë si një pikë turistike për Elbasanin dhe mbarë vendin.”

Deputeti Florenc Spaho përmendi me krenari bukurinë natyrore të Bushekut, duke e krahasuar atë me “një Lugano të vogël”, dhe e quajti këtë vend një dhuratë të vërtetë nga Zoti për banorët e Elbasanit.

Atmosfera e ngrohtë, ndërthurja e traditës me natyrën dhe aktivitetet festive, e kanë kthyer Festën e Bushekut në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin dhe vizitorët.

Dita e Pastrimit: Bashkë për një ambient më të pastër dhe të gjelbër!

Sot, nën moton “Bashkë për një ambient më të pastër dhe të gjelbër”, Agjencia e Kulturës dhe Turizmit, Agjencia e Pyjeve, Bujqësisë dhe Mjedisit, dhe Këshilli Rinor, organizuan një aksion pastrimi në zonën e Byshekut, një nga destinacionet turistike më të rëndësishme të Elbasanit. Ky aksion synon të rrisë ndërgjegjësimin për mbajtjen e ambientit të pastër dhe ruajtjen e bukurive natyrore të zonës.

Drejtori i Agjencisë së Kulturës dhe Turizmit, Artur Guni, theksoi rëndësinë e përfshirjes së komunitetit, sidomos të rinisë, në aktivitete të tilla, duke vënë në pah se një ambient i pastër ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe promovimin e turizmit lokal. “Një akt i vogël, si mbledhja e mbeturinave, mund të bëjë një ndryshim të madh për komunitetin dhe mjedisin tonë. Është detyrë e të gjithëve që të kujdesemi për pasurinë natyrore që na rrethon, dhe Bysheku është një nga thesaret tona,” u shpreh Guni.

Pjesëmarrësit, përfshirë të rinjtë e Këshillit Rinor, treguan angazhimin dhe përgjegjësinë e tyre qytetare, duke kontribuar në këtë nismë të rëndësishme. Përmes këtij aksioni, ata dërguan një mesazh të qartë për të gjithë qytetarët: mbrojtja e mjedisit është një përgjegjësi që na takon të gjithëve.

Kjo nismë është vetëm fillimi i një sërë aktivitetesh që do ndërmerren nga Bashkia e Elbasanit dhe partnerët e saj, me qëllim promovimin e kulturës së pastërtisë dhe ruajtjen e zonave turistike.

Bashkë për një të ardhme më të pastër dhe më të qëndrueshme!