Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Ditë: 18 Maj 2026

Tour of Albania 2026 prek qarkun Elbasan, kufizime të përkohshme të qarkullimit më 19–20 Maj

Nesër zhvillohet turi i 83-të Çiklistik Ndërkombëtar.

Tour of Albania 2026.

Duke qenëbse ky aktivitet prek edhe territorin e Qarkut Elbasan, Bashkia u rikujton qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të marrin masa paraprakisht për lëvizjet e tyre në akset ku do të bllokohet qarkullimi.

🔶️Ky tur prek territorin e qarkut Elbasan në datat dhe oraret e mëposhtme.

Aktiviteti do të zhvillohet në dy etapa, sipas itinerareve dhe orareve si më poshtë:

🔸️Etapa e parë– E martë, datë 19.05.2025 – Ora 15:30

Itinerari përshkon:

•Peqin (15:30)

•Bradashesh (15:50)

•Rrethi Luleve

Rrethi Zaranik-Rrethi 1 Majit

(16:20)

• Hyrje në Bulevardin Qendror (Finish – ora 16:30).

🔸️Etapa e dytë – E mërkurë, 20.05.2025 – Ora 12:00

Itinerari përfshin:

•Nisja nga Kalaja e Elbasanit (12:00)

•Rrethrrotullimi “Lulet” – Bradashesh (12:04)

•Rrethi i Bradasheshit (12:07)

•Ura e Zezë – Kthesa e Cërrikut (12:24)

•Kthesa e Belshit (12:28)

•Fshati Kajan (12:55)

•Kthesa e Kuçovës (13:20).

Investime konkrete në Gracen, fokus te rrugët dhe “Paketa e Maleve”

Në Gracen, buxheti afatmesëm vijoi me një sërë projektesh dhe investimesh konkrete, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ndër investimet kryesore u theksua rruga prej 1.6 km nga Dopaj deri tek shkolla, si edhe projekti i ri që pritet të nisë brenda vitit për ndërtimin e aksit Dopaj–Funar, një ndërhyrje e rëndësishme për lidhjen dhe aksesin e banorëve.

Paralelisht, vëmendje po i kushtohet edhe “Paketës së Maleve”, një mundësi konkrete për banorët që të përfitojnë deri në 10 vite pa taksa, duke nxitur investimet dhe zhvillimin e bizneseve në zonat rurale.

Kreu i bashkisë, Gledian Llatja, shprehu besimin për pjesëmarrjen e qytetarëve në këto dëgjesa publike, duke e cilësuar atë si një tregues të qartë të besimit që ata kanë ndaj institucionit dhe investimeve që po realizohen në zonën e tyre.

“Buxheti afatmesëm nuk është një buxhet vjetor, por një plan trevjeçar, ku ne shohim dhe kërkojmë prioritete që kërkojnë më shumë investime sesa ato të përvitshme.

Në Njësinë Administrative Gracen kemi parashikuar një sërë ndërhyrjesh konkrete, ku ndër më kryesoret është investimi për rrugën prej 1.6 km nga Dopaj deri tek shkolla, një rrugë e asfaltuar që përmirëson ndjeshëm aksesin për banorët. Gjithashtu, brenda këtij viti do të nisim edhe ndërtimin e rrugës nga Dopaj drejt Funarit, një aks i rëndësishëm që i shërben jo vetëm kësaj zone, por edhe banorëve përreth.

Paralelisht, po vijojmë me zgjerimin e përfituesve të ‘Paketës së Maleve’, ku ata që aplikojnë përfitojnë deri në 10 vite pa taksa, duke krijuar mundësi reale për zhvillimin e pronave dhe ndërtimin e bizneseve familjare që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë së zonës.

Tashmë kemi nisur edhe krijimin e SHBB-ve, shoqatave të bashkëpunimit bujqësor, ku qëllimi është të mbështesim fermerët në të gjitha hallkat që u mungojnë në ciklin e zhvillimit të biznesit, nga prodhimi deri tek tregtimi. Kjo është një nismë e përbashkët mes qeverisë dhe fermerëve, për të rritur kapacitetet dhe për të garantuar më shumë të ardhura për familjet në zonat rurale.”

Bashkia Elbasan hap thirrjen e dytë për përfshirje në Forumin Vendor për Qeverisjen e Hapur

Bashkia e Elbasanit ka hapur thirrjen e dytë publike për zgjerimin e pjesëmarrjes në Forumin Vendor për Qeverisjen e Hapur, në kuadër të angazhimit të saj në iniciativën ndërkombëtare Open Government Partnership (OGP Local), ku është pjesë që prej vitit 2020.

Kjo nismë synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet pushtetit vendor dhe komunitetit, duke krijuar një hapësirë të qëndrueshme dialogu dhe bashkëpunimi me qytetarët, organizatat e shoqërisë civile, median dhe grupet e interesit.

Bashkia Elbasan, gjatë viteve të fundit ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë për rritjen e transparencës institucionale, promovimin e pjesëmarrjes qytetare, zhvillimin e konsultimeve publike dhe përfshirjen e aktorëve lokalë në hartimin dhe monitorimin e politikave vendore.

Në këtë kuadër janë realizuar procesi i bashkë-krijimit të angazhimeve lokale OGP, krijimi i Forumit të Qeverisjes së Hapur, hartimi i rregullores së funksionimit, si dhe përgatitja e Planit të Veprimit dhe Kalendarit Vjetor të aktiviteteve.

Gjithashtu, Bashkia ka bashkëpunuar me organizata lokale, universitete dhe aktorë komunitarë për të forcuar mekanizmat e transparencës dhe llogaridhënies në nivel vendor.

Përmes kësaj thirrjeje, Bashkia Elbasan fton të bëhen pjesë e Forumit organizatat e shoqërisë civile, mediat lokale, aktivistët, grupet komunitare, të rinjtë, përfaqësuesit e komunitetit akademik, ekspertët dhe çdo individ të interesuar për çështjet e qeverisjes së hapur, transparencës dhe integritetit publik.

Pjesëmarrja në Forum synon rritjen e besimit publik, përmirësimin e komunikimit institucional dhe ndërtimin e politikave më gjithëpërfshirëse, në përputhje me standardet europiane të qeverisjes së mirë.

Të interesuarit mund të dërgojnë të dhënat e tyre, fushën e aktivitetit dhe një përshkrim të shkurtër të interesit për t’u bërë pjesë e Forumit në adresën elektronike: koordinatori@elbasani.gov.al

NJOFTIM: THIRRJE PËR PARTNERITET DHE PJESËMARRJE QYTETARE

Në kuadër të Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP) në Bashkinë Elbasan
Ftesë për organizatat e shoqërisë civile, median e lirë, aktivistët dhe qytetarët aktivë
Bashkia Elbasan, në vijim të angazhimit të saj si pjesë e iniciativës ndërkombëtare Open Government Partnership (OGP Local) që prej vitit 2020, si dhe në kuadër të krijimit dhe konsolidimit të Forumit Vendor për Qeverisjen e Hapur, hap thirrjen e dytë publike për zgjerimin e pjesëmarrjes dhe përfshirjen e aktorëve të rinj në këtë mekanizëm bashkëpunimi dhe dialogu qytetar.
Që prej anëtarësimit në OGP Local, Bashkia Elbasan ka ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të:
⦁ forcimit të transparencës institucionale;
⦁ promovimit të pjesëmarrjes qytetare;
⦁ zhvillimit të proceseve të konsultimit publik;
⦁ ndërtimit të mekanizmave të monitorimit dhe llogaridhënies;
⦁ përfshirjes së shoqërisë civile në hartimin dhe ndjekjen e politikave vendore;
⦁ promovimit të inovacionit dhe digjitalizimit në nivel vendor.
Në këtë kuadër janë zhvilluar:
⦁ procesi i bashkë-krijimit të angazhimeve lokale OGP;
⦁ ngritja e grupit të punës institucional;
⦁ krijimi i Forumit të Qeverisjes së Hapur; https://elbasani.gov.al/forumi-i-qeverisjes-se-hapur/
⦁ hartimi i rregullores së funksionimit;
⦁ hartimi i Planit të Veprimit dhe Kalendarit Vjetor të aktiviteteve;
⦁ miratimi i dokumenteve bazë të funksionimit të Forumit;
⦁ bashkëpunime me organizata lokale, universitete dhe aktorë komunitarë.
Në vijim të këtij procesi, Bashkia Elbasan fton të bëhen pjesë e Forumit:
⦁ organizata të shoqërisë civile;
⦁ media të lira dhe gazetarë lokalë;
⦁ aktivistë dhe qytetarë aktivë;
⦁ grupe komunitare dhe të rinj;
⦁ përfaqësues të komunitetit akademik;
⦁ ekspertë, profesionistë dhe individë me kontribut në jetën publike dhe komunitare;
⦁ individë dhe aktorë të interesuar për çështjet e transparencës, pjesëmarrjes qytetare, integritetit dhe qeverisjes së hapur.

Pjesëmarrja në Forum synon ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërmjet Bashkisë dhe komunitetit, në funksion të:
⦁ rritjes së besimit publik;
⦁ përmirësimit të komunikimit institucional;
⦁ ndërtimit të politikave më gjithëpërfshirëse;
⦁ monitorimit të proceseve vendore;
⦁ afrimit të standardeve të qeverisjes vendore me praktikat europiane të qeverisjes së mirë.
📌 Të interesuarit ftohen të dërgojnë:
⦁ emrin e organizatës/personit;
⦁ fushën e aktivitetit;
⦁ kontaktin për komunikim;
⦁ një përshkrim të shkurtër të interesit për t’u bërë pjesë e Forumit.
📧 Email: koordinatori@elbasani.gov.al
Bashkia Elbasan beson se qeverisja e hapur ndërtohet përmes bashkëpunimit, besimit dhe përfshirjes aktive të komunitetit, ndaj mirëpret çdo aktor që dëshiron të kontribuojë në ndërtimin e një qyteti më transparent, më gjithëpërfshirës dhe më pranë qytetarëve.

Nis shpërndarja e koshave për ndarjen e mbetjeve në burim në lagjen “Kala”

Vijon procesi i ndarjes së mbetjeve në burim në Bashkinë e Elbasanit. Në bashkëpunim me shoqërinë Alko Impex, nisi shpërndarja e koshave 80 kg për subjektet bar-kafe dhe restorante në lagjen Kala dhe zonat përreth, në kuadër të projektit pilot për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

Pas përfundimit të kësaj zone, procesi pritet të shtrihet në të gjitha bizneset e qytetit, si pjesë e angazhimit për një menaxhim më efikas dhe më të qëndrueshëm të mbetjeve urbane.

Ky proces është pjesë e Planit Strategjik të Integrimit të Mbetjeve 2025–2030 dhe kontratës së shërbimit të pastrimit 2026–2030, me synimin për një qytet më të pastër, më të gjelbër dhe më të ndërgjegjshëm për mbrojtjen e mjedisit.

Shpërndarja e koshave do të vijojë edhe në shkollat e përfshira në projektin pilot të sistemit parauniversitar, ndërsa gjatë kësaj jave do të shpërndahen edhe qeset me ngjyra për ndarjen e mbetjeve në lagjen Kala.

Bashkia fton qytetarët dhe bizneset të bëhen pjesë aktive e këtij procesi, duke theksuar se një Elbasan më i pastër nis nga kontributi i secilit.