Investime konkrete në Gracen, fokus te rrugët dhe “Paketa e Maleve”
Në Gracen, buxheti afatmesëm vijoi me një sërë projektesh dhe investimesh konkrete, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të zonës. Ndër investimet kryesore u theksua rruga prej 1.6 km nga Dopaj deri tek shkolla, si edhe projekti i ri që pritet të nisë brenda vitit për ndërtimin e aksit Dopaj–Funar, një ndërhyrje e rëndësishme për lidhjen dhe aksesin e banorëve.
Paralelisht, vëmendje po i kushtohet edhe “Paketës së Maleve”, një mundësi konkrete për banorët që të përfitojnë deri në 10 vite pa taksa, duke nxitur investimet dhe zhvillimin e bizneseve në zonat rurale.
Kreu i bashkisë, Gledian Llatja, shprehu besimin për pjesëmarrjen e qytetarëve në këto dëgjesa publike, duke e cilësuar atë si një tregues të qartë të besimit që ata kanë ndaj institucionit dhe investimeve që po realizohen në zonën e tyre.
“Buxheti afatmesëm nuk është një buxhet vjetor, por një plan trevjeçar, ku ne shohim dhe kërkojmë prioritete që kërkojnë më shumë investime sesa ato të përvitshme.
Në Njësinë Administrative Gracen kemi parashikuar një sërë ndërhyrjesh konkrete, ku ndër më kryesoret është investimi për rrugën prej 1.6 km nga Dopaj deri tek shkolla, një rrugë e asfaltuar që përmirëson ndjeshëm aksesin për banorët. Gjithashtu, brenda këtij viti do të nisim edhe ndërtimin e rrugës nga Dopaj drejt Funarit, një aks i rëndësishëm që i shërben jo vetëm kësaj zone, por edhe banorëve përreth.
Paralelisht, po vijojmë me zgjerimin e përfituesve të ‘Paketës së Maleve’, ku ata që aplikojnë përfitojnë deri në 10 vite pa taksa, duke krijuar mundësi reale për zhvillimin e pronave dhe ndërtimin e bizneseve familjare që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e ekonomisë së zonës.
Tashmë kemi nisur edhe krijimin e SHBB-ve, shoqatave të bashkëpunimit bujqësor, ku qëllimi është të mbështesim fermerët në të gjitha hallkat që u mungojnë në ciklin e zhvillimit të biznesit, nga prodhimi deri tek tregtimi. Kjo është një nismë e përbashkët mes qeverisë dhe fermerëve, për të rritur kapacitetet dhe për të garantuar më shumë të ardhura për familjet në zonat rurale.”