Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Banorët e Rajonit 3 në dëgjesë për buxhetin afatmesëm dhe investimet e reja

Në vijim të turit të dëgjesave publike për buxhetin afatmesëm 3-vjeçar, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Aulona Bylykbashi, zhvilluan një takim me banorët e Rajonit nr. 3, ku u diskutuan prioritetet dhe projektet për zhvillimin e zonës.

Deputetja Bylykbashi vlerësoi pjesëmarrjen e qytetarëve në këtë proces, duke theksuar se angazhimi i tyre ndër vite ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e investimeve dhe rritjen e besimit ndaj institucioneve vendore.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku Llatja u ndal fillimisht te investimet që po kryhen, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza (KUZ), ku theksoi se, “kemi një plan serioz i cili po implementohet dhe kemi vazhduar punën me KUZ, ku një pjesë e madhe e problematikave janë sistemuar dhe brenda vitit të ardhshëm do të mbyllim të gjitha problematikat që kemi me KUZ, jo vetëm në Rajonin 3, por në të gjithë Elbasanin”.

Duke u ndalur më tej tek prioritetet, ai nënvizoi se investimet do të vijojnë sipas nevojave të komunitetit, duke u fokusuar në projekte konkrete infrastrukturore dhe urbane.

“Jemi në përfundim të rrugës “Tajar Tetova” me kanalizimet e ujërave të zeza dhe sistemimin e saj, për të vijuar më pas me shtrimin e rrugës. Kemi në prioritetet tona edhe bllokun e banesave tek rruga “Adem Jashari’, si dhe ndërhyrjen në kryqëzimin e Cërrikut, një nga problematikat kryesore të zonës së unazës”, u shpreh Llatja.

Ai shtoi gjithashtu se ndër projektet madhore mbetet edhe urbanizimi i ish-autostradës së Metalurgjikut, duke theksuar: “vitin tjetër duam të fusim projektin e madh të urbanizimit dhe sistemimit të ish-autostradës së Metalurgjisë, nga rrethrrotullimi i Luleve deri në Bradashesh, si dhe zgjerimin e bulevardit kryesor nga Bradasheshi deri në Shushicë, së bashku me urën e Bushekut dhe segmentin e ri që do të hapim në lagjen ‘Emin Matraxhiu’”.

Sipas kryebashkiakut, këto janë projekte të rëndësishme zhvillimore që kërkojnë kohë dhe kapacitete financiare, ndaj janë parashikuar të realizohen në kuadër të buxhetit afatmesëm të bashkisë, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët.