Bashkia Elbasan në gatishmëri të plotë pas shpërthimit në pallatin në lagjen “Qemal Stafa”, vijon asistenca për familjet e prekura.
Rreth orës 14:30 të datës 4 nëntor 2026, në një pallat në zonën e Unazës së qytetit të Elbasanit ndodhi një shpërthim i fuqishëm, i pasuar nga rënia e zjarrit, i cili shkaktoi dëmtime të konsiderueshme në godinë dhe krijoi një situatë emergjente.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, strukturat e Bashkisë Elbasan, Shërbimi Zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Policia e Shtetit u angazhuan në terren për menaxhimin e situatës, evakuimin e banorëve dhe garantimin e sigurisë.
Zjarrfikësja e Elbasanit ndërhyri që në momentet e para me 5 mjete dhe 25 punonjës. Më shumë se 10 banorë, kryesisht të moshuar dhe fëmijë, u evakuuan nga katet e larta të godinës përmes autoshkallës së emergjencës. Për shkak të përmasave të ngjarjes, operacionit iu bashkuan edhe forcat zjarrfikëse nga bashki të tjera.
Gjatë operacionit u identifikuan dy viktima, të cilat humbën jetën si pasojë e shpërthimit. Ndërkohë, 10 persona të tjerë morën ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Elbasanit, kryesisht për shkak të asfiksisë, dhe më pas u rikthyen pranë familjeve të tyre.
Në orët e pasdites, operacionit iu bashkuan edhe Forcat e Armatosura, me dy ekipe kërkim-shpëtimi, të përbëra nga 17 persona, të cilët punuan për lokalizimin dhe nxjerrjen nga rrënojat e 69-vjeçarit. Për këtë qëllim u përdorën pajisje të specializuara, përfshirë kamera termike, kamera kërkimi, pajisje për prerjen e betonit dhe jastëkë ajri për ngritjen e peshave.
Pas ndërhyrjes së parë, inxhinierët kryen vlerësimin paraprak të godinës, duke evidentuar dëmtime strukturore dhe problematika që kërkonin masa të menjëhershme sigurie. Ekspertët e Institutit të Ndërtimit kryen gjithashtu inspektimin teknik të objektit dhe, sipas vlerësimit të tyre paraprak, pallati u konsiderua i pabanueshëm, duke kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për garantimin e sigurisë së banorëve dhe objekteve përreth.
Bashkia Elbasan ka marrë përsipër asistencën për familjet e prekura, duke vënë në dispozicion ambientet e saj të akomodimit. Familjet që nuk kishin mundësi të strehoheshin pranë të afërmve u sistemuan në konviktin e qytetit, ku iu siguruan ushqimi dhe kushtet e nevojshme për qëndrimin e tyre.
Gjithashtu, strukturat bashkiake, në bashkëpunim me Policinë dhe shërbimet e Emergjencave, kanë asistuar banorët në lëvizjen e sigurt drejt banesave, nën shoqërimin e forcave përgjegjëse, për të marrë dokumentet dhe sendet personale me vlerë.
Gjatë gjithë këtyre 24 orëve, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka ndjekur nga afër dhe në vijimësi situatën, duke qenë i pranishëm në vendngjarje dhe në komunikim të vazhdueshëm me strukturat përgjegjëse, ekipet e emergjencave dhe specialistët e Institutit të Ndërtimit.
Bashkia Elbasan i shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e dy viktimave, ndërsa falënderojmë zjarrfikësit, punonjësit e emergjencave dhe efektivët e Policisë për angazhimin dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë operacionit.
“Mirënjohje dhe respekt për çdo zjarrfikës, punonjës të emergjencave dhe efektiv policie që dha maksimumin për të shpëtuar jetë në këtë situatë të rëndë.”
Bashkia Elbasan vijon angazhimin për mbështetjen e familjeve të prekura, garantimin e strehimit të tyre dhe koordinimin me institucionet përgjegjëse për marrjen e masave të mëtejshme.