Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

‘Borodin Mitarja’, investime që po transformojnë infrastrukturën e lagjes

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, inspektoi punimet në lagjen “Borodin Mitarja”, ku po realizohen një sërë investimesh të rëndësishme për përmirësimin e infrastrukturës. Banorët e zonës kanë shprehur mirënjohjen për punën dhe përkushtimin që po tregohet ndaj nevojave të tyre.

“Jemi në rrugën ‘Borodin Mitarja’, ku kemi bërë investime të vazhdueshme. Sapo përfunduam veshjen e pallateve me kapotë, për të kursyer energjinë dhe për të krijuar ambiente më të ngrohta për banorët, sidomos gjatë dimrit. Po vazhdojmë me riasfaltimin e rrugës, e cila tashmë është kthyer në një rrugë kryesore që lidh qytetin me varrezat e qytetit,” deklaroi Llatja.

Puna për riasfaltimin ka nisur paralelisht me ndërhyrje të tjera në disa zona të qytetit. Llatja theksoi rëndësinë e këtij investimi, duke përmendur se rruga ka pësuar një fluks të madh qarkullimi pas hapjes së nënkalimit të ri.

“Panvarësisht kushteve atmosferike, jemi të përkushtuar të vijojmë punimet. Aktualisht, po punojmë në 11 rrugë në qytet, duke përfshirë asfaltime dhe riasfaltime, si në zonat informale ashtu edhe në qendrat kryesore. Gjithashtu, përmes projektit të ujësjellës-kanalizimeve të realizuar me mbështetjen e KFV-së gjermane dhe qeverisë shqiptare, kemi siguruar përmirësime të mëdha në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm,” shtoi ai.

Banorët e zonës, të pranishëm gjatë inspektimit, vlerësuan punën që po bëhet në lagjen e tyre, duke theksuar se këto ndërhyrje po rrisin cilësinë e jetës në komunitet.

Në përfundim të inspektimit, kryetari i bashkisë siguroi se punimet do të vazhdojnë me rregullimin e trotuareve dhe përfundimin e të gjitha detajeve infrastrukturore, për të garantuar një lagje më të sistemuar dhe moderne.