Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Buxhetimi me Pjesëmarrje 2021 në Njësinë Administrative Gracen

Bashkia e Elbasanit nisi, si çdo fund viti, një nga proceset më të rëndësishme të pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje. Nga Graceni nisën dëgjesat publike në kuadër të procesit të “Buxhetimit me Pjesëmarrje” një proces i cili në Elbasan zhvillohet prej më se 12 vjetësh. 
Bashkia Elbasan, ka si synim vendosjen e një kontakti të vazhdueshëm me qytetarët dhe për të realizuar këtë ka nevojë të ketë dhe të perdorë mjetet e duhura për shpërndarjen e politikave të zhvillimit dhe ofrimin e shërbimeve publike tek çdo qytetar. Nje mjet i tillë është dhe proçesi i “Buxhetimit me Pjesëmarrje”.
“Buxhetimi me Pjesëmarrje” është një proçes në të cilin qytetarët marrin pjesë në mënyrë aktive në vendimmarrjen për shpërndarjen e burimeve financiare publike. “Buxhetimi me Pjesëmarrje” nuk është vetëm konsultativ, por një proçes i drejtëpërdrejtë dhe diskutim demokratik për vendimmarrjen e pushtetit vendor. 
Graceni është një nga njësitë administrative me fshatra shumë të largët dhe me nevoja të mëdha të banorëve.
Në këtë “votim publik” për nevojat e tyre, banorët kërkuan kryesisht ndërhyrjen në infrastrukturën rrugore. 
Në fshatrat Bodin e Plangaricë, Bashkia e Elbasanit hapi rrugën vetëm disa vite më parë, pasi këto fshatra nuk kishin pasur kurrë rrugë. Po ashtu edhe në fshatin Mamël, por këto rrugë kanë nevojë për mirëmbajtje të vazhdueshme, pasi terreni malor dhe ujërat krijojnë probleme në vazhdimësi. 
Kryetari i Bashkisë Z. Gledian Llatja falenderoi banorët për pjesëmarrje të gjerë dhe vlerësim maksimal të këtij procesi, si dhe për respektimin me rigorizitet të masave anticovid. 
Llatja bëri një pasqyrim të punëve të kryera në Njsinë Administrative Gracen, por edhe të atyre punëve që për fat të keq mbetën përgjysëm nga një vit i vështirë ekonomik për shkak të pandemisë. 
Kryetari i Bashkisë i njohu qytetarët me të gjitha kostot shtesë që duhet të ndërmerrte pushteti vendor për të menaxhuar këtë situatë, për të lehtësuar bizneset, për të ndihmuar familjet në nevojë dhe mbi të gjitha për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. 
Por, theksoi Llatja, bashkia do të vijojë të kryejë detyrën e saj në shërbim të qytetarëve ndaj dhe ky proces i rëndësishëm kërkon të “vjelë” nevojat të cilat qytetarët i konsiderojnë parësore. 
Në një proces demokratik si ai i “Buxhetimit me Pjesëmarrje” vetë qytetarët vlerësojnë përparësitë e shënuara, për t’u përkthyer më pas në investim në vitin e ardhshëm buxhetor, konkretisht në buxhetin e vitit 2021. 
Me banorët e Elbasanit është duke u diskutuar edhe Paketa Fiskale e vitit të ardhshëm, në të cilën qytetarët japin mendimet e tyre për sistemin e taksave dhe tarifave. Bashkia e Elbasanit vazhdon të jetë bashkia me taksat dhe tarifat më të ulëta në vend. a
Procesi do të vijojë në të gjitha njësitë administrative dhe në lagjet e qytetit, për t’i hapur më pas rrugë hartimit të buxhetit, i cili do të reflektojë pikërisht mendimin dhe vendimin e qytetarëve.​