Skip to content Skip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Buxhetimi me pjesëmarrje  me të rinjtë, propozimet e tyre pjesë e prioriteteve për Elbasanin

Procesi i Buxhetimit me Pjesëmarrje 2027 vijoi me të rinjtë e Elbasanit, duke u dhënë mundësinë të shprehin nevojat, idetë dhe propozimet e tyre për investimet dhe prioritetet që duhet të marrë në konsideratë Bashkia gjatë vitit të ardhshëm. Takimi, i zhvilluar në kuadër të vitit shkollor 2026–2027, u bë një hapësirë dialogu dhe bashkëbisedimi, ku të rinjtë u ftuan të artikulojnë lirshëm kërkesat e tyre dhe të bëhen pjesë aktive e vendimmarrjes vendore.

Drejtoresha e Zyrës Vendore të Arsimit, Vella Llanaj Liço, theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në këtë proces, duke nënvizuar se buxhetimi me pjesëmarrje krijon mundësinë që nevojat dhe interesat e komunitetit të bashkërendohen me prioritetet e pushtetit vendor, në mënyrë që investimet publike të orientohen aty ku kërkohen më shumë nga qytetarët. Ajo i ftoi të rinjtë të shprehnin me përgjegjësi dhe pa hezitim idetë e tyre, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka rinia në zhvillimin e shoqërisë.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u ndal te tradita e këtij procesi me të rinjtë dhe ndikimi që propozimet e tyre kanë pasur në investimet e realizuara ndër vite. Ai vuri në dukje  kërkesat e mëparshme të Këshillit Rinor për rikonstruksionin e shkollës “Onufri”, si dhe ndërhyrjet në shkollat “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Dhaskal Todri”. Ndërkohë, bëri të ditur se shkolla “Vasil Kamami” pritet të nisë rikonstruksionin pas përfundimit të procedurave të prokurimit publik, ndërsa për shkollën “Ahmet Dakli” projekti është tashmë gati.

Llatja përmendi gjithashtu kërkesat e të rinjve për instalimin e paneleve fotovoltaike në shkolla, duke bërë të ditur se janë vendosur projekte për shtatë shkolla, ndërsa janë shtuar edhe tre të tjera dhe katër ndodhen në fazën e implementimit. Ai evidentoi edhe investimet e kryera në institucionet arsimore, si dhe projektin e Parkut “Dua të Luaj”, një kërkesë nga të rinjtë, i cili ofron hapësira për sport, argëtim dhe aktivitete komunitare, me fusha futbolli, tenisi e basketbolli, kënde lojërash për fëmijë dhe ambiente për të moshuarit.

Gjatë takimit u prezantuan edhe nisma të tjera të Bashkisë në mbështetje të rinisë, si programi TUMO, Zyra e Këshillimit të Karrierës, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës dhe aktivitetet në fushën e sportit, kulturës, artit dhe vullnetarizmit.

Në këtë kuadër u prezantua edhe Plani Vendor i Veprimit për Rininë 2026–2030, i cili synon të përcaktojë drejtimet kryesore të ndërhyrjes në arsimim, punësim, pjesëmarrje dhe jetën kulturore të të rinjve.

Takimi u përmbyll me diskutimin dhe votimin e prioriteteve të propozuara nga të rinjtë, duke vijuar kështu procesin e Buxhetimit me Pjesëmarrje, ku zëri i komunitetit shndërrohet në propozime konkrete për investimet dhe zhvillimin e Elbasanit gjatë vitit 2027.