Skip to contentSkip to left sidebar Skip to right sidebar Skip to footer

Lajme

Elbasani drejt një komuniteti më të sigurt, zhvillohet Mbledhja e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua mbledhja e Këshillit Vendor të Sigurisë Publike (KVSP), me pjesëmarrjen e institucioneve vendore, përfaqësuesve të drejtësisë, arsimit, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë lokalë.

Takimi u përshëndet nga Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, i cili theksoi rëndësinë e sigurise publike dhe perceptimit të qytetarëve për sigurinë si një nga shtyllat kryesore të jetës komunitare. “Siguria publike nuk është vetëm një detyrë institucionale, por një vlerë shoqërore që përcakton mënyrën se si ne jetojmë, punojmë dhe i besojmë njëri-tjetrit. Qëllimi ynë është që çdo qytetar i Elbasanit jo vetëm të jetë i sigurt, por edhe të ndihet i tillë,”  u shpreh  Llatja.

Në fjalën e tij, Kryetari evidentoi nismat e ndërmarra nga Bashkia Elbasan për të forcuar ndjenjën e sigurisë tek qytetarët, duke përfshirë përmirësimin e ndriçimit dhe infrastrukturës urbane, instalimin e teknologjive të mençura për sigurinë, zhvillimin e programeve parandaluese për të rinjtë dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore, si edhe bashkëpunimin me shkollat dhe komunitetet për fushata ndërgjegjësuese.

Takimi u organizua në kuadër të projektit “PARTNER”, pjesë e Programit SCPA – Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri, financuar nga Qeveria Suedeze përmes SIDA dhe zbatuar nga Shoqata “Tjetër Vizion”.

Në përfundim, Bashkia Elbasan rikonfirmoi angazhimin për të forcuar komitetet lokale të sigurisë në çdo lagje, për të integruar perceptimet e qytetarëve në politikat lokale, për të bashkëpunuar me shkollat, të rinjtë dhe komunitetet vulnerabël, si dhe për të siguruar një komunikim të hapur dhe transparent mbi masat dhe rezultatet e arritura.

Ky takim përbën një tjetër hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një komuniteti më të sigurt, gjithëpërfshirës  për të gjithë qytetarët e Elbasanit.

Gledian Llatja/ Funari, në fokus të investimeve për infrastrukturën rurale dhe zhvillimin e turizmit

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ishte sot në Njësinë Administrative Funar, ku vijojnë punimet për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe pastrimin e kanaleve kulluese. Qëllimi i ndërhyrjeve është përmirësimi i qarkullimit dhe parandalimi i përmbytjeve, sidomos pas reshjeve të dendura të ditëve të fundit.

Në bashkëbisedim me përfaqësuesit e njësisë administrative, u vendos që fokusi i punës të jetë tek ofrimi i shërbimeve më të mira për qytetarët, pastrimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës bujqësore për të mbështetur fermerët, si dhe zhvillimi i mëtejshëm i turizmit.
Funari, me pyjet e pasura dhe liqenet e tij natyrale, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turizmin rural, kulturor dhe sportet outdoor.

Aktualisht janë kryer punime në pastrimi i rezervuarit në Mollagjesh, mirëmbajtja e rrugëve në Cërujë,  Mollagjesh dhe Branesh (Likrama).

Ndërkohë po vijojnë punimet për rrugët në Bixëlle, Preçë e Poshtme dhe Korrë, pastrimin e kanaleve në Branesh.

Llatja vlerësoi punën e ekipeve në terren dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me komunitetin për zhvillimin e qëndrueshëm të zones.

“Funari është një nga zonat më të bukura të Bashkisë Elbasan, me potencial të madh për turizëm dhe bujqësi. Reshjet e fundit sollën disa probleme, por ndërhyrjet kanë nisur menjëherë për pastrimin e kanaleve kulluese dhe mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Me bashkëpunim dhe angazhim, synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët,”u shpreh kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja.

Ai shtoi se “ fillimisht kemi siguruar pastrimin e këtyre kanaleve dhe digës së liqenit, ndërsa më pas jemi fokusuar te mirëmbajtja e rrugëve të fshatrave, qendrave dhe lagjeve të brendshme, për të përmirësuar infrastrukturën rurale dhe lehtësuar lëvizjen e banorëve.
Me bashkëpunim dhe angazhim, synojmë që Funari të zhvillohet si një hapësirë e pastër, mikpritëse dhe plot mundësi për qytetarët dhe vizitorët.”

Funari gjithashtu është një nga katër zonat e shpallura prioritare për zhvillim nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit, së bashku me Gjinarin, Treganin dhe Shushicën.
Këto zona përbëjnë një potencial të rëndësishëm ekonomik, turistik dhe mjedisor për qytetin dhe rajonin. Vendimi bazohet në Ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”, si dhe në udhëzimet përkatëse të miratuara nga Ministria e Pushtetit Vendor, duke synuar nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm, turizmit rural e natyror, si dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore dhe kulturore të këtyre zonave.

Bashkia Elbasan dhe “Tjetër Vizion” vlerësojnë ecurinë e Kontratës Sociale 2023–2027

Sot, në ambientet e Bashkisë Elbasan, u zhvillua takimi mbi raportimin dhe monitorimin e angazhimeve të marra nga Bashkia në kuadër të Kontratës Sociale 2023–2027, nënshkruar me organizatën partnere “Tjetër Vizion”.

Ky takim kishte për qëllim vlerësimin e ecurisë së prioriteteve të përcaktuara, evidentimin e arritjeve dhe sfidave, si dhe diskutimin mbi hapat e mëtejshëm për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e Bashkisë Elbasan dhe organizatës “Tjetër Vizion” vlerësuan bashkëpunimin e ndërsjellë dhe angazhimin për zbatimin e parimeve të qeverisjes së hapur dhe gjithëpërfshirëse.
Kontrata Sociale 2023–2027 synon të forcojë dialogun ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, duke u fokusuar në përmirësimin e shërbimeve publike, pjesëmarrjen qytetare dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përfshirjes aktive të komunitetit në monitorimin e politikave lokale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve të Elbasanit.

Bashkia Elbasan mbetet e angazhuar të zbatojë me përgjegjësi objektivat e përcaktuara në këtë dokument strategjik, duke garantuar transparencë, llogaridhënie dhe zhvillim në shërbim të komunitetit.

Gledian Llatja, në konferencën ndërkombëtare “Walk21, angazhim për zhvillim urban që vendos qytetarin në qendër

Në kryeqytetin e Shqipërisë po zhvillohet edicioni i 25-të i konferencës ndërkombëtare Walk21, që ka mbledhur në Tiranë përfaqësues të institucioneve, ekspertë urbanë dhe studiues nga 54 vende të botës, për të ndarë përvoja dhe ide mbi mënyrat më të mira për ta bërë ecjen pjesë të përditshme të jetës urbane.

Në këtë aktivitet, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në sesionin plenar “IMAGINE”, ku u diskutua mbi vizionin politik dhe angazhimet konkrete që mund të ndërmerren për ndërtimin e qyteteve më të aksesueshme dhe më të shëndetshme për komunitetet.

“Si Kryetar i Bashkisë së Elbasanit, theksova rëndësinë e veprimeve të qarta dhe investimeve që vendosin njerëzit në qendër të zhvillimit urban. Çdo vendimmarrje duhet të orientohet drejt krijimit të hapësirave të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe miqësore për këmbësorët,” u shpreh Llatja gjatë fjalës së tij.

Ai theksoi gjithashtu se partneriteti mes qyteteve, institucioneve dhe komuniteteve është çelësi për ta kthyer këtë vizion në realitet, duke synuar qytete të gjelbra, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt njeriut.

Konferenca Walk21 është një prej platformave më të rëndësishme ndërkombëtare për politikbërësit dhe profesionistët e planifikimit urban, që promovon ecjen si mënyrë të shëndetshme, të qëndrueshme dhe sociale të jetesës në qytete.

Trupa e Teatrit “Skampa” mbyll me sukses Festivalin Ndërkombëtar “Skampa 2025” me komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”

Mbrëmja e fundit e Festivalit Ndërkombëtar “Skampa Extension 2025” u mbyll me duartrokitje të gjata për komedinë “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, me regji të Kiço Londos dhe interpretim nga trupa e Teatrit “Skampa”.

Vepra e njohur e dramaturgut britanik Joe Orton solli në skenën e teatrit elbasanas një botë plot humor, ironi dhe situata të papritura, ku përzihen pasionet, pritshmëritë romantike, fotot rozë dhe shpërdorimi i pushtetit, në një realitet absurd e argëtues.

Kjo premierë e trupës vendase shënoi një mbyllje dinjitoze të edicionit të 27-të të festivalit, që për gjashtë ditë me radhë e ktheu Elbasanin në një qendër të gjallë të artit skenik. 11 trupa teatrore nga vende të ndryshme performuan jo vetëm në skenën e Teatrit “Skampa”, por edhe në hapësira të tjera kulturore të qytetit, duke sjellë një atmosferë të veçantë artistike dhe bashkëkohore.

Në mbyllje të festivalit, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe publikun elbasanas:

“Falënderim të veçantë për të gjitha trupat që zgjodhën Elbasanin për të ndarë artin e tyre me ne. Për gjashtë ditë, qyteti ynë u mbush me energji, me art dhe me bashkëpunim ndërkombëtar. Ky festival është tashmë një traditë që e bën Elbasanin pjesë të kalendarit kulturor ndërkombëtar.”

Ndërsa një vlerësim dhe falenderim Llatja shprehu edhe për drejtuesit e festivalit për përkushtimin dhe organizimin e çdo edicioni, si edhe Ministrinë e Kulturës për mbështetjen dhe vijimësinë e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore.

Me “Çfarë pa kryeshërbëtorja”, trupa e Teatrit “Skampa” dhe i gjithë festivali mbyllën jo vetëm një javë plot emocione artistike, por edhe një tjetër kapitull të suksesit kulturor të Elbasanit, që tashmë pret me entuziazëm edicionin e ardhshëm.

Miho Gjini promovon “Brezi i tretë i aktrimit”, një dëshmi për trashëgiminë e skenës shqiptare

Në ditën e fundit të Festivalit Teatror Ndërkombëtar “Skampa Extension”, në Bibliotekën “Qemal Baholli” u promovua libri më i ri i shkrimtarit dhe kritikut të njohur të artit Miho Gjini, me titull “Brezi i tretë i aktrimit”.

Një vepër që ruan kujtesën e skenës shqiptare dhe përcjell ndriçimin te brezat që vijnë, një homazh i rrallë për 25 artistë të rinj të skenës dhe ekranit, yje të brezit të tretë në qiellin e aktrimit shqiptar.

Pas 65 vitesh në shërbim të artit, Miho Gjini sjell librin e tij të 38-të, si një dëshmi dashurie, përkushtimi dhe mirënjohjeje për magjinë e quajtur Teatër.

Miho Gjini, një nga kritikët më të vlerësuar të artit shqiptar, veçanërisht në skenën e teatrit dhe ekranit, lindi më 20 mars 1938 në fshatin Piqeras të Himarës, ku kreu dhe shkollën fillore.
Më pas, ai ndoqi studimet në Tiranë, në Politeknikumin “7 Nëntori”, duke u specializuar si teknik rongeni dhe ushtruar këtë profesion në Spitalin Civil të Gjirokastrës.

Studimet e larta i përfundoi në Shkollën e Lartë të Aktorëve, ku u diplomua si aktor dhe regjisor, me specializim në kritikë teatri.
Ai u emërua drejtor dhe regjisor i Teatrit Profesionist “Skampa” të Elbasanit, ku realizoi dy shfaqje të rëndësishme: dramën “Justina” dhe komedinë “Kutia prej argjendi”.

Pas tre vitesh, Miho Gjini mori detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Teatrove dhe Estradave të Republikës, duke kontribuar njëkohësisht edhe si pedagog i jashtëm në Institutin e Artevepër 12 vite.

Bashkia mbështet fermerët e Shirgjanit/ Eksportet dhe infrastruktura bujqësore në fokus

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me administratorin e Njësisë Administrative Shirgjan, dhe kryetarët e fshatrave të zonës, zhvilluan një takim për të dëgjuar nga afër nevojat dhe sfidat e fermerëve të Shirgjanit.

Shirgjani, i njohur si zemra bujqësore e Elbasanit, prodhon kultura të stinës si perime, drithëra, dhe fruta, të cilat tregtohen jo vetëm në tregjet vendase, por edhe jashtë vendit, duke rritur mundësitë për eksport dhe zhvillim ekonomik për fermerët.

Gjatë vizitës u theksua rëndësia e mirëmbajtjes periodike të kanaleve vaditëse dhe kulluese, që sigurojnë prodhim të qëndrueshëm dhe mbrojnë kulturat nga dëmtimet e mundshme.

Një tjetër përparësi për fermerët është Unaza Bujqësore e Elbasanit, e cila kalon në këtë njësi dhe mundëson transport më të lehtë dhe akses të shpejtë në tregjet rajonale dhe qendrat e grumbullimit.

Kryetari Gledian Llatja u shpreh, se “Shirgjani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes bashkisë dhe fermerëve. Do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë që rrit prodhimin, eksportet dhe përmirëson infrastrukturën bujqësore. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë është prioritet për Bashkinë e Elbasanit.”

Kryetari Gledian Llatja u shpreh, se “Shirgjani është shembulli më i mirë i bashkëpunimit mes bashkisë dhe fermerëve. Do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë që rrit prodhimin, eksportet dhe përmirëson infrastrukturën bujqësore. Zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë është prioritet për Bashkinë e Elbasanit.”

Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar “Skampa” sjell teatër, vallëzim dhe reflektim mbi identitetin

Dita e tretë e Festivalit Ndërkombëtar Teatror “Skampa” në Elbasan ka vijuar me një seri aktivitetesh artistike që ndërthurin teatrin, danc-in dhe krijimtarinë bashkëkohore, duke sjellë për publikun emocione dhe energji të reja skenike.

Programi i ditës nisi me workshopin “Loja”, të udhëhequr nga artistja Aida Llukaj, e diplomuar në Universitetin “La Sapienza” në Itali dhe me eksperienca të shumta në projekte teatrore në vende të ndryshme të Europës. Llukaj, e cila aktualisht jeton në Francë ku ka themeluar kompaninë e dancit teatror “Cie Daidat”, ndau me pjesëmarrësit përvojat e saj mbi ndërthurjen e trupit, mendimit dhe improvizimit në procesin krijues.

Në vijim, trupa nga Prizreni solli për publikun shfaqjen “Brendësia e kostumit”, një performancë që eksploron marrëdhëniet njerëzore përmes tensionit dhe harmonisë, duke përdorur varësen si metaforë për rrënjët, përkatësinë dhe kufijtë e identitetit.

Mbrëmja u mbyll me interpretimin e dramës “Yerma” nga Asociacioni i Artistëve të Dramës së Vojvodinës (Serbi). Shfaqja, e bazuar në veprën e Federico García Lorcës, ndërthurte fjalën, muzikën dhe vallëzimin flamengo, duke sjellë një reflektim të fortë mbi të drejtat e grave, dashurinë dhe lirinë personale. Muzika live dhe skenografia minimaliste krijuan një përjetim të thellë emocional, që tejkaloi barrierat gjuhësore dhe preku ndjeshëm publikun elbasanas.

Për më shumë se një çerek shekulli, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit ka qenë zemra e artit në Elbasan. Çdo vit, ai sjell trupa dhe krijues nga vende të ndryshme, duke e kthyer qytetin në një skenë të hapur ku takohen kultura, emocione dhe histori njerëzore. Ky festival është dëshmia më e bukur e dashurisë së Elbasanit për artin.

Kivi elbasanas po gjen treg në vendet e huaja/ Llatja viziton fermerin në Jagodinë

Fermerët e Jagodinës po tregojnë se bujqësia e Elbasanit po njeh zhvillim të qëndrueshëm dhe orientim drejt tregjeve të eksportit. Një shembull është fermeri Jani Avdiu, i cili këtë vit ka arritur të shesë të gjithë prodhimin e kivit ende pa e vjelë, me një çmim shumë të favorshëm në tregjete e eksportit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë vizitës së tij në fermën e Avdiut në Jagodinë, u shpreh se “kivi, dikur i njohur si frut ekzotik, tashmë është bërë pjesë e bujqësisë elbasanase dhe po prodhohet me cilësi të lartë për eksport. Vetëm në Jagodinë, prodhimi arrin nga 35 deri në 40 kuintalë në vit, i cili shkon drejt tregjeve të Italisë dhe së fundmi edhe të Pogradecit”.

 Falë unazës bujqësore dhe sistemimit të rregullt të kanaleve vaditëse e kulluese, fermerët e kësaj zone po e rrisin produktivitetin dhe po sigurojnë standarde që kërkohen nga tregjet e huaja.

Llatja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e procesit të azhurnimit të pronave bujqësore që po zhvillohet në bashkëpunim me Kadastrën Shqiptare. “Kemi nisur azhornimin e pronave në zonën e Shirgjanit dhe Mëngelit, dy nga zonat më të rëndësishme bujqësore të bashkisë. Ky proces po zgjidh përfundimisht një problem 30-vjeçar të paqartësive pronësore, duke u krijuar fermerëve mundësinë për të zhvilluar më lirshëm aktivitetin e tyre ekonomik,” tha ai.

Llatja shtoi se qeveria shqiptare po mbështet fermerët me skema të shumta subvencionesh, duke përmendur hapjen e fundit të skemës së mbështetjes më 30 shtator, si dhe mundësitë e tjera që do të vijojnë gjatë gjithë vitit për prodhuesit bujqësorë.

Ky zhvillim e vendos Jagodinën në hartën e zonave që po eksportojnë prodhime cilësore, duke e bërë Elbasanin një qendër të rëndësishme të kultivimit të kivit në Shqipëri.

Lagja “Fushë-Mbret” feston 90-vjetorin dhe nderon figura të shquara nga Kosova dhe Maqedonia

Lagjja historike “Skënderbej” në Elbasan festoi 90-vjetorin e themelimit me një ceremoni përkujtimore, ku morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe Princ Leka, nipi i Mbretit shqiptar Ahmet Zogu.

Kjo lagje u themelua në vitin 1935, si pjesë e Reformës Agrare të Mbretit Zog, që synonte sistemimin e familjeve shqiptare të dëbuara nga Kosova dhe Maqedonia. “Fushë-Mbret” u bë strehë e re për dhjetëra familje që lanë pas trojet e tyre, duke ndërtuar këtu një komunitet të fortë, me vlera të spikatura qytetare e kombëtare.

Në ceremoninë përkujtimore, e zhvilluar në ambientet e lagjes, u nderuan me certifikata mirënjohjeje figura të shquara të komuniteteve shqiptare nga Kosova dhe Maqedonia, për kontributin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar, kulturës dhe traditave.

Të vlerësuarit ishin, Bajram Ipeku, për guximin dhe vendosmërinë që hapën rrugë për brezat e rinj të Pejës, Sadik Merko, patriot nga Struga, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtjen e vlerave kombëtare. Idris Gërlica Krasniqi, rapsod popullor dhe ruajtës i trashëgimisë kulturore shqiptare, Hasan Feratozi, nacionalist nga Maqedonia, i dalluar për përkushtimin ndaj çështjes shqiptare, Mustafa Dauti, myfti i respektuar, që ruajti traditat dhe identitetin shpirtëror të komunitetit mysliman, dhe Faslli Berisha, përfaqësues i një familjeje patriotike me kontribut në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në mbrojtjen e vlerave kombëtare.

Gjatë aktivitetit u përkujtua edhe momenti historik i  tetorit 1935, kur në lagjen “Fushë-Mbret” u vendosën për herë të parë 56 familje kosovare dhe 15 familje maqedonase, duke shënuar fillimin e një bashkëjetese shembullore që vijon prej nëntë dekadash.

Kryetari Gledian Llatja theksoi se lagjja “Fushë-Mbret” përfaqëson një pjesë të rëndësishme të historisë së qytetit dhe të identitetit të tij kulturor. Ai vuri në dukje se vitet e fundit janë realizuar investime të mëdha infrastrukturore dhe sociale në këtë zonë, për t’i dhënë vendin që i takon në historinë urbane të Elbasanit.

“Ky përvjetor është një kujtesë e rrënjëve tona dhe e lidhjeve të forta që na bashkojnë si komb. ‘Fushë-Mbret’ është dëshmi e gjallë e historisë, sakrificës dhe unitetit shqiptar”, u shpreh Llatja gjatë fjalës së tij.

Ceremonia u mbyll me një atmosferë festive dhe simbolike, duke vlerësuar trashëgiminë, guximin dhe përkushtimin e brezave që ndërtuan këtë lagje dhe e kthyen në një pjesë të rëndësishme të mozaikut historik të Elbasanit.